Gatimi

Midhje me xhenxhefil, deti në shtëpinë tuaj


Përgatisni një pjatë plot freski, shije dhe aromë! Midhjet krijojnë një shije fantastike duke u bashkuar me xhenxhefilin, një bimë kurative dhe plot vlera ushqyese. Përfitoni proteina, omega 3 dhe vitamina me një gatim të shpejtë!

Përbërësit: 1 kg midhje, 100 gr xhenxhefil (xhinxher), 2 tufa kopre, 2 limona të shtrydhur, 4 thelpinj hudhër, 1 spec djegës, 1 qepë e vogël, 1 qepë e njomë, 100 ml vaj ulliri1/2 gotë verë e bardhë.

Përgatitja

Pastrojmë midhjet: Fillimisht heqim papastërtitë shkëmbore duke përdorur anën tjetër të tehut të thikës (atë që nuk pret), si dhe pjesën e ngushtë që është rrëzë saj, duke i tërhequr me kujdes.

I lajmë një nga një, duke i fërkuar në ujë të rrjedhshëm. I lëmë të kullojnë.

Grijmë qepë në kube shumë të imëta. Të njëjtën gjë bëjmë me hudhrën dhe specin djegës.

Presim në feta shumë të holla xhenxhefilin dhe grijmë hollë koprën.

Në një tenxhere vendosim qepën, hudhrën, specin djegës, xhenxhefilin dhe vajin e ullirit. I përziejmë pak dhe shtojmë midhjet dhe verën. I mbyllim me kapak dhe i lëmë ashtu, derisa guaskat e midhjeve të hapen.

Në fund shtojmë koprën dhe lëngun e limonit.

I shërbejmë bashkë me lëngun e tyre në një enë të thellë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore