Micksoki: Është koha që BDI dhe LSDM të shkojnë në opozitë

SHFLETO

Hristjan Mickoski

 

Dini Fetahu
08.05.2024 23:38
Loading Icons...

Lideri nacionalist maqedonas i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, pasi që janë numëruar afër 90 për qind e votave të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni të Veriut, ku kjo parti është fituese e qartë, ka thënë se është koha që Bashkimi Demokratik për Integrim bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë.

Këto komente, Mickoski i ka bërë në një konferencë për media nga selia e VMRO-së, pasi që kjo ka fituar 59 deputetë nga 120 sa i ka gjithsejtë parlamenti i Maqedonisë, derisa pretendoi se BDI-ja ka bojkotuar procesin e zgjedhjeve presidenciale.

“Është mposhtur edhe bojkoti i BDI-së. Kjo fitores sonë i jep kënaqësi të veçantë. Populli tregoi që nuk do të lejojë që individë të krijojnë kriza dhe përmes institucioneve të mbrojnë veten. BDI tregoi më së paku që është parti që kujdeset për Maqedoninë dhe u bë një strukturë e fuqishme kriminale, por goditën kokën dhe e bojkotuan vetveten. Është koha që bashkë me LSDM-në të shkojnë në opozitë”, deklaroi Mickoski.

Ndryshe, me 93,53 për qind të votave të numëruara, fituese absolute e zgjedhjeve parlamentare në taborin maqedonas është VMRO-DPMNE, me 396 mijë e 899 vota, apo 43,13 për qind të votës totale.

Ndërsa, partia që ka udhëhequr me pushtetin në Maqedoni të Veriut, LSDM-ja, ka marrë vetëm 138 mijë e 853 vota, apo 15,09 për qind.

Nga ana tjetër, në kampin shqiptar, fitues është “Fronti Evropian”, me 129 mijë e 530 vota, apo 14,08 për qind të votës totale, afro 30 mijë vota më shumë se koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, i cili ka grumbulluar 101 mijë e 140 vota, apo 10,99 për qind.