Mickoski të martën ia dorëzon përbërjen dhe programin e qeverisë Kuvendit

SHFLETO

Hristjan Mickoski

 

Dini Fetahu
18.06.2024 14:03
Loading Icons...

I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, pritet që të martën t’i dorëzojë kuvendit maqedonas propozimin për përbërjen e ekzekutivit dhe programin për punën e tij.

Votimi për qeverinë e re maqedonase, pas zgjedhjeve të 8 majit, pritet që të bëhet këtë fundjavë.

Siç raportojnë mediat në Shkup, seancën parlamentare për zgjedhjen e ekzekutivit të ri, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pritet ta caktojë për të shtunën në ora 11:00.

Numrin më të madh të resorëve qeveritare në ekzekutivin që do të drejtohet nga Mickski, do ta ketë VMRO-DPMNE-ja, 15 sosh, tre prej tyre do të jenë zëvendëskryeministra.

Ndërsa, shqiptarët që në këtë qeveri përfaqësohen nga koalicioni “VLEN”, do të drejtojnë 5 ministri, dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.

Pjesë e qeverisë është edhe Lëvizja “ZNAM”. 2 është numri i ministrive që do të jenë nën udhëheqjen e kësaj lëvizje.

Përveç këtyre, pjesë e qeverisë së Mickoski-t do të jetë edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviç, i cili mohon gjenocidin në Srebrenicë dhe ka qëndrime anti-shqiptare, madje kishte thurur lavde për terroristët serbë të vrarë në Banjë të Zveçanit.

Ndryshe, të hënën kreu i VMRO-së, Mickoski theksoi se do të luftojë për arritjen e qëllimeve strategjike si anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e mira me partnerët strategjikë.