Shqipëria

Mete kërkon bashkëpunim më të madh me diasporën, për zhvillimin e ekonomisë shqiptare


Ministri shqiptar i Financës dhe Ekonomisë, Ervin Mete, gjatë një paneli të zhvilluar në kuadër të Samitit të Diasporës, ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të madhe, në bazë të modeleve evropiane, për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Gjatë një fjale të mbajtur, ai e cilësoi Samitin e Diasporës si një mundësi e mirë për të thelluar komunikimin dhe bashkëpunimin, me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të diasporës në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Ministri nënvizoi se Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuesit nga Diaspora.

Në fjalën e tij, Mete bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomia po kalon një moment pozitiv, në një kohë që procesi i integrimit ka ecur me ritme të kënaqshme, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Evropian në raportin e fundit.
Në këtë kuadër, Ministri tha se diaspora shqiptare ka një rol të veçantë në procesin e integrimit evropian dhe mund të japë një kontribut të çmuar.

“Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Evropian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësi e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim”, përshkroi ai.

Po ashtu, theksoi faktin se diaspora shqiptare ka një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj.

Ministri u shpreh se, përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte, e në këtë kontekst ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë.

Në këtë drejtim, Ministri vuri theksin në ndërmarrjen e veprimeve konkrete përmes angazhimit të strukturave dhe institucioneve shtetërore.

“Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore