Lajme

Metani mund të luajë rol kyç në zvogëlimin e gazrave serë


Gaz metani mund të luajë një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë, të nevojshme për të përmbushur marrëveshjen klimatike të Parisit.

Kjo pas sugjerimeve të një hulumtimi të ri, të cilat ka shumë të ngjarë të bëhen qëllim kryesor në bisedimet e klimës Cop26 të Kombeve tё Bashkuara (OKB).

“Ulja e emetimeve globale të metanit me 40% deri në vitin 2030 është e arritshme, madje me kosto të ulët apo edhe me fitim për kompanitë, si prodhuesit e naftës dhe gazit. Ajo gjithashtu mund të kompensojë pjesën më të madhe të reduktimit të emetimeve të planifikuara në Komisionin e Tranzicioneve të Energjisë”, tregoi studimi.

Zyrtarë të lartë të OKB-së dhe Mbretërisë së Bashkuar (MB) më herët kanë pranuar se, “qëllimi kryesor i konferencës është që të gjitha vendet të hartojnë planet e tyre ose kontributet në nivel kombëtar (NDC)”.

Ata planifikuan një ulje globale të emetimeve prej 45% deri në vitin 2030.

MB-ja, si nikoqire e samitit, që do të mbahet në Glasgow në nëntor, shpreson se, “bota ende mund të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, si aspiratё e marrëveshjes së klimës së Parisit nё vitin 2015”.

Tubacioni Trans-Alaska dhe stacioni i pompës në veri të Fairbanks, Alaska 
Pse metani?

“Metani është një gaz i fuqishëm serë, rreth 80 herë më i fuqishëm se dyoksidi i karbonit në ngrohjen e planetit”, tregon Lordi Adair Turner, kryetar i ETC, nё njё prononcim pёr të përditshmen “The Guardian”.

Ai është përbërësi më i madh i gazit natyror, i përdorur për karburant.

Rrjedhjet e tij mund të shkaktohen nga operacionet konvencionale të shpimit të ndërtuara dobët, puset e gazit shist argjilor, tubacionet e gazit dhe infrastruktura të tjera të karburantit fosil.

Metani, gjithashtu, ndizet nga disa vende të prodhimit të naftës.

Ulja e rrjedhjeve të tilla, ose kapja e metanit, mund të bëhet me një kosto të ulët. Gjithashtu mund të jetë fitimprurëse për prodhuesit e gazit, veçanërisht tani pasi çmimi ndërkombëtar i gazit është rritur.

“Po ashtu, edhe sepse disa prodhues kryesorë si Rusia, SHBA-tё, Kina dhe Kanadaja, mund të lënë një ndikim masiv”, thotë Adair Turner, duke shtuar se “kohët e fundit SHBA-tё dhe BE-ja njoftuan një partneritet që synon zvogëlimin e emetimeve të metanit me 30% deri në vitin 2030”.

Kryetari i ETC, vijon se “në Indi, për shembull, termocentralet e reja me qymyr tani janë më të shtrenjta se alternativat e rinovueshme, por kostoja margjinale e prodhimit të energjisë elektrike nga stacionet ekzistuese të energjisë me qymyr është akoma më e lirë se era ose ajo diellore”.

Sipas tij, kjo do të thotë se kompanitë kanë një nxitje për të mbajtur termocentralet e vjetra me qymyr, por nëse ato mund të paguhen për të hequr gradualisht më të vjetrat, kjo do të përshpejtonte largimin e qymyrit nga vendi.

Adair Turner tregoi për ‘The Guardian’ se, “në fokus duhet të vendoset edhe çeliku”, i cili sipas tij, “mund të kalojë lehtë në prodhim ‘të gjelbër'”.

“Kompanitë e çelikut mund të përdorin procese e prodhimit që ndotin më pak dhe krijojnë më pak mbeturina të përgjithshme të prodhimit, duke përdorur hidrogjen, shumë më lehtë sesa disa vjet më parë”, tha ai.

Një marrëveshje globale midis prodhuesve të çelikut në Cop26 mund ta arrijë këtë dhe marrëveshje të ngjashme globale ishin të mundshme midis prodhuesve të çimentos, industrisë së transportit detar dhe sektorëve të tjerë me karbon të lartë.

“Shumë vende”, shtoi Turner, “po paraqisnin NDC që ishin shumë të kujdesshme ose që nuk pasqyronin se sa shpejt bizneset po ulnin emetimet dhe po lëviznin drejt energjisë së gjelbër dhe teknologjisë së pastër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore