Shqipëria

Meta shpalos programin politik: Koha për një marrëveshje sociale dhe patriotike


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shpalosur pikat e para të programit politik të kësaj force politike.

Lajmi u bë i ditur gjatë punimeve të Konventës Kombëtare – e dyta në jetëgjatësinë e PL-së.

“Koha është tani për një marrëveshje sociale për të ndalur shpopullimin. Koha është tani për një ‘marrëveshje të re sociale dhe patriotike’, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë”, u shpreh fillimisht ish-presidenti.

Sipas tij, koha nuk pret më dhe opozita – përfshirë PL-në – duhet t’i japë fund “regjimit”.

Gjatë shterimit të platformës, Meta sugjeroi se sundimi i ligjit do të garantohet: nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetueshmëria, e institucioneve të forta dhe të pavarura, nga llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria, nga mirëqeverisja dhe meritokracia, nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe nga punësimi me paga dinjitoze.

“Shqipëria do t’i përkasë të rinjve…sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt. Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar”, shtoi ish-kreu i shtetit.

Gjatë konventës pritet të shpaloset edhe strategjia, zgjedhjet, aksioni dhe ekipi i ri drejtues i kësaj force politike.

“Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor. Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit!”, vijoi Meta.

Ai kujtoi se Partia e Lirisë ka depozituar dy nisma ligjore në Kuvendin e Shqipërisë.

Këto, për të liberalizuar “urgjentisht” investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepërt të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore