Shqipëria

Meta: Shkarkimi nga detyra, vendim i Kushtetueses/ Nuk ekziston çështje në Venencia


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nga Pogradeci në një prononcim për mediat ka deklaruar se vendimin për shkarkimin e tij, tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese.

I pyetur nga gazetarët se më 14 tetor Komisioni i Venencias do të japë opinioni për shkarkimin e tij, Meta e bëri të qartë se nuk ka çështje kundër Presidentit në Komisionin e Venecias.

“Nuk ekziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Jam tepër i qetë dhe i pa shqetësuar, për sjelljet e të tjerëve”.

Në vijim Meta tha se sjelljet e tij kanë qenë në mbrojtje të Kushtetutës. Sipas tij kjo e fundit është sulmuar në mënyrën, “më armiqësore, më tradhtare nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm për të pasur Shqipërinë sot një situatë aspak të dëshirueshme, në raport edhe me Bashkimin Evropian”.

Meta theksoi faktin se Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë nëse do dëgjohej Presidenti mbi zgjedhjet vendore apo Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket zgjedhjeve vendore – çështje e cila tashmë do i drejtohet Komisionit të Venecias – Meta tha se prej vitesh pritej vendimi i kushtetueses, “në pikëpamjen time është një çështje e qartë”.

Ndërsa për sa i përket lëvizjes së liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe përçarjes së brendshme, Meta refuzoi të komentonte. Këtë çështje ai e cilësoi si “punët e brendshme të PD-së”.

“Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme të asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese”.

Po ashtu as akuzave të Berishës – për bashkëpunim dhe “pazare” mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama – Meta refuzoj të fliste.

Gjithashtu Presidenti i Republikës e bëri të qartë se vendi nuk do të ngelë pa opozitë edhe pse kjo “luhet” prej vitesh.

“Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinentit tonë. Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara”.

Në përfundim Meta u ndal te çështja e patronazhistëve – e cila krijoi mjaft polemika në fushatën e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillitqë tashmë po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Meta e tha i prerë, “i qëndroj vlerësimeve të ‘Transparency international’ dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër”.

Shkarkimi i Metës nga Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, Legjislatura e vjetër – IX-të –  më 9 qershor, ka shkarkuar zyrtarisht Metën, nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.

Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

Të nevojitura për shkarkimin e tij, ishin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan.

Brenda pesë ditëve fjala i kaloi Gjykatës Kushtetuese – e cila do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë apo jo në detyrën e tij si kreu i shtetit, deri në përfundim të mandatit në korrik 2021.

Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e Metës.

Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit. Votim, që konfirmoi shifrat e raportit.

Pse u kërkua shkarkimi i Metës?

Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.

Sipas socialistëve, Meta ka kryer shkelje të rënda kushtetuese duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore. Ai gjithashtu ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste. Vetë Meta, refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.

Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.

Në të, kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore