Shqipëria

Meta përshëndet apelin e Celibashit drejtuar qytetarëve: Vota, fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur apelin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për kontrollimin e vlefshmërisë së mjetit të identifikimit përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit

“E mbështes plotësisht mesazhin e Celibashit drejtuar qytetarëve me të drejtë vote në të gjashtë bashkitë ku do zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, me qëllim garantimin e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur’, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Meta e përmbylli postimin duke iu drejtuar qytetarëve me një mesazh që, “vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci”.

Meta, mëngjesin e 20 janarit, ka dekretuar edhe datën 6 mars si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Vendimi erdhi pasi presidenti mori edhe pëlqimin e Celibashit.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrësit, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore