Shqipëria

Meta ngre akuza për çmimin e naftës: Ekonomia nuk mund t’i lihet në dorë aventurierëve, që po falimentojnë Shqipërinë


“Ekonomia nuk mund t’u lihet në dorë aventurierëve, që po varfërojnë shqiptarët dhe po falimentojnë Shqipërinë”.

Është ky komenti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, mbi rritjen e çmimit të naftës në ditët e fundit.

Një rritje me 8 lekë për litër është regjistruar në Shqipëri në fillimvitin 2022, për sa i përket çmimeve të karburantit.

Sakaq, sipas presidentit, këto nuk janë të vetmet vlera të rritura.

Çmimet e ushqimeve në të dhënat që presidenti publikon, janë rritur me 4.5%. Shërbimet e transportit, me 6.9%. Ndërsa, shpenzimet familjare për shëndetësinë, janë rritur me 28%, sipas pretendimit.

Një tjetër akuzë e hedhur është ajo e pagave të ulëta në gjithë vendin. Ajo minimale, duke cituar EUROSTAT-in, është në 248.4 euro, duke e vendosur vendin poshtë Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Malit të Zi.

“Çmimet në Shqipëri i vendosin oligarkët dhe jo tregu!”, e përmbyll Meta postimin.

Nga ana tjetër, paralelisht me publikimet e Metës, po mbahet në Gjykatën Kushtetuese edhe seanca e dytë gjyqësore për shkarkimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore