Shqipëria

Meta: Mezi po e pres 24 korrikun


“Unë mezi po e pres 24 korrikun 2022”.

Kështu ka deklaruar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mesditën e 18 shkurtit ku solli sërish në vëmendje datën e mbarimit të mandatit të tij si kreu i shtetit.

Përmes një postimi në median sociale Facebook duke shkëputur një pjesë të intervistës së tij në Televizionin Shqiptar, Meta theksoi se “Zoti dhe populli i 2 marsit e ruajnë dhe e mbrojnë Shqipërinë”.

“Ndjenja e shqiptarëve për të reaguar ndaj një arrogance që synon t’i frikësojë, t’i depersonalizojë edhe t’i largojë nga vendi, është e jashtëzakonshme”, vijoi Meta.

Sipas tij situata po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një dinamikë të shkëlqyer.

Ky reagim i Metës ka ardhur dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që vendosi të mos e shkarkojë nga detyra.

Sipas tij, sa i përket kësaj të fundit ky ka qenë një proces politik për ta përdorur si mjet shantazhi.

“Nuk është rastësi që është bërë në këto momente, ka qenë një tentative për të kapur të vetmin institucion të pavarur, por dhe për të hequr vëmendjen nga aferat korruptive të qeverise”, ka vijuar ai.

“Maskaradë politike” e ka quajtur ai këtë hetim të tretë kundër tij.

“Presidenti nuk ka shkelur asnjë ligj dhe as një nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, ka përsëritur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore