Meta lejon kontrollin prindëror në kufizimin e fëmijëve në lojërat e realitetit virtual

SHFLETO
Sadiola Xhelili
19.03.2022 7:00
Loading Icons...

Disa veçori të reja të njoftuara nga kompania Meta do t’u lejojnë prindërve të ndalojnë adoleshentët që të kenë akses në lojëra dhe përvoja të papërshtatshme përmes kufjeve të realitetit virtual.

Lëvizja ka ardhur pasi janë ngritur shqetësime nëse kompania po bënte mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Po ashtu vjen edhe si pasojë e miratimit të ligjeve të reja në mbrojtje të fëmijëve në internet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Tanimë, në kushtet e shërbimit të kufjeve Quest thuhet se përdoruesit duhet të jenë mbi 13 vjeç.

“Sigurimi i përvojave të përshtatshme për moshën dhe të sigurta për adoleshentët, duke i fuqizuar ata për të eksploruar në realitetin virtual është një akt balancues”, ka deklaruar Oculus.

Më parë, në media kanë qarkulluar lajme se adoleshentët mund të hynin në strip klube virtuale në një aplikacion të njohur të realitetit virtual, duke përdorur kufjet.

Por Oculus tashmë ka nxjerr mjete që i lejojnë prindërit të kyçin aplikacione specifike për të ndaluar adoleshentët të hyjnë në to.

Ka bllokuar edhe adoleshentët që të shkarkojnë ose blejnë aplikacione të papërshtatshme për moshën në Quest Store.

Gjithashtu ka prezantuar “Parrent Dashboard”, të aksesueshëm nga aplikacioni celular Oculus, për të lejuar prindërit të lidhen me llogarinë e fëmijës.

Prindërit do të jenë në gjendje të shohin të gjitha aplikacionet që zotëron fëmija, të njoftohen kur ai bën një blerje, se sa kohë po kalon në realitetin virtual dhe listën e miqve të tij.

Të gjitha masat e marra janë pjesë e asaj që Meta e quan “Qendra Familjare”.

Me nisje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj me përhapje globale në muajt e ardhshëm, kontrollet e reja do t’u lejojnë prindërve të shohin sa kohë kalon adoleshenti në Instagram.

Po ashtu të caktojnë orën e qëndrimit të ti në aplikacion dhe marrjen e përditësimeve se cilat llogari ndiqen.

Fillimisht do të duhet që vetë adoleshentët t’i iniciojnë këto kontrolle dhe prindërit do të mund ta bëjnë këtë më pas me pëlqimin e fëmijës.

 

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.