Shqipëria

Meta e paditi për “shpërdorim detyre”, SPAK kërkon pushimin e çështjes Dvorani


Prokuroria e Posaçme (SPAK), të hënën e 22 nëntorit, ka kërkuar pushimin e çështjes për gjyqtarin Ardian Dvorani në lidhje me padinë që presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, bëri kundrejt tij në vitin 2020.

SPAK i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pushim akuze dhe mbyllje të çështjes Dvorani – asokohe me funksion kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas informacioneve gjyqi do të mbahet të martën në orën 09:00, ku gjyqtari i çështjes do të jetë Erjon Çela.

Aktualisht Ardian Dvorani mban postin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës.

Më 18 shkurt të vitit 2020 Presidenti i Republikës depozitoi në SPAK padinë për Dvoranin.

Dokumenti i publikuar nga Meta, të cilën e konsideronte si provë kundër Dvoranit.

“Të dashur qytetarë, pasi u njoha me provat e reja tronditëse të angazhimit të tij në grushtin e shtetit, sapo kam firmosur shtesën në kallëzimin penal ndaj Ardian Dvoranit”, do të shkruante Meta në atë periudhë në median sociale Facebook.

Përplasja e Presidentit Ilir Meta me Ardian Dvoranit erdhi pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, dhe dublimin e një vendi, për të cilin ishin emëruar dy anëtare, Marsida Xhaferrllari nga Meta dhe Arta Vorpsi nga KED.

Sipas Metës, Dvorani, ka shkelur ligjin dhe ka kryer dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës.

Meta kërkoi nga SPAK sekuestrimin e audiove të mbledhjeve të KED-it, për të parë procedurën e ndjekur me dërgimin e listave të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese në Kuvend dhe Presidencë.

Nga ana tjetër, ish-kreu i KED u shpreh se ai nuk e kishte shkelur ligjin. Meta kallëzoi në Prokurori Drovanin dhe publikoi disa video kundër tij, ku shpjegonte atë që ai e quan “grushtin e shtetit”. Ndërsa, Dvorani ka ndenjur në qetësi dhe deklaratat e tij kanë qenë të pakta.

Dvorani u largua nga detyra si kryetar i KED-it nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi i kishte mbaruar mandati, por vazhdonte të qëndronte, me pretendimin se nuk ishte gjetur zëvendësuesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore