Aplikacione

Meta do të nxjerrë modelin komercial të AI-së në përpjekje për të kapur rivalët


Kompania Meta është gati të nxjerrë një version komercial të modelit të vet të inteligjencës artificiale (AI), duke lejuar ndërmarrjet dhe bizneset të ndërtojnë software të personalizuar.

Kjo lëvizje do t’i lejojë kompanisë të konkurrojë me OpenAI-në dhe Google-in, të mbështetur nga Microsoft, të cilat po ecin përpara në garën për të zhvilluar AI gjeneruese.

Software-i në fjalë, i cili mund të krijojë tekst, imazhe dhe kode, mundësohet nga modele të mëdha gjuhësore (LLM) që janë trajnuar për sasi të mëdha të dhënash dhe kërkojnë fuqi të madhe kompjuterike.

Meta e ka lëshuar ​​modelin e saj të gjuhës, të njohur si LLaMA, për studiuesit dhe akademikët në fillim të këtij viti.

Por versioni i ri do të jetë më gjerësisht i disponueshëm dhe i personalizueshëm nga kompanitë.

Sipas Meta-s, LLM-të e saj janë “open-source”, çka do të thotë se detajet e modelit të ri do të publikohen.

Kjo është në kontrast me qasjen e konkurrentëve si OpenAI, modeli i fundit i të cilëve GPT-4 është një e ashtuquajtur kuti e zezë në të cilën të dhënat dhe kodi i përdorur për të ndërtuar modelin nuk janë të disponueshëm për palët e treta.

Sakaq, e gjitha vjen pasi një garë mes grupeve të teknologjisë së Silicon Valley për dominim në AI po nxehet.

Në vitin 2021, shefi ekzekutiv Mark Zuckerberg njoftoi një strumbullar për të ndërtuar një botë digjitale të mbushur me avatar të njohur si metaverse dhe ka shpenzuar më shumë se 10 miliardë dollarë në vit për projektin.

Kjo ambicie e kushtueshme ka rezultuar e papëlqyeshme me investitorët dhe Meta kohët e fundit është përpjekur të rrisë investimin e saj në AI.

Në fillim të këtij viti, gjigandi i rrjeteve sociale ngriti një njësi gjeneruese të AI-së të udhëhequr nga shefi i produktit Chris Cox.

Zuckerberg dhe drejtues të tjerë kanë lënë të kuptohet për një shtytje drejt krijimit të chatbot-eve të shumta të AI-së për individë, reklamues dhe biznese nëpër platformat Meta Instagram, WhatsApp dhe Facebook, të mundësuar nga LLM-të e tij.

Përfitimi i modeleve me burim të hapur përfshin një përdorim më të lartë nga përdoruesit, të cilët më pas futin më shumë të dhëna që AI të përpunojë.

Sa më shumë të dhëna të ketë një LLM, aq më të fuqishme mund të bëhen aftësitë e tij.

Për më tepër, modelet me burim të hapur lejojnë kërkuesit dhe zhvilluesit të zbulojnë dhe adresojnë gabimet, duke përmirësuar teknologjinë dhe sigurinë në të njëjtën kohë –kur kompanitë e teknologjisë si Meta janë përballur me vite të tëra me shqyrtim mbi skandalet e ndryshme të privatësisë dhe dezinformimit.

Megjithatë, ekzistojnë rreziqe të qarta me AI me burim të hapur, i cili mund të formësohet dhe abuzohet nga aktorë të këqij.

Grupet e sigurisë së fëmijëve raportojnë një rritje të imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve të krijuara nga AI-ja në internet.

Ekzistojnë gjithashtu rreziqe rregullatore dhe ligjore lidhur me pronësinë intelektuale dhe të drejtën e autorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore