Shqipëria

Meta: Deklarata e Yuri Kimi-it, e turpshme


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është përgjigjur një postimi të ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Meta e ka cilësuar deklaratën e saj si “një turp” dhe e fton atë bashkë me kryeministrin Edi Rama në një debat publik.

Ambasadorja më herët, në median sociale Twitter, postoi një deklaratë ku shkruhej se “Është e papranueshme për këdo që kërcënon se qytetarët do të marrin sfurqet më 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim”.

Sipas ambasadores, ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimet e tyre.

Deklarata nuk është pritur mirë nga presidenti, i cili i ka kërkuar ambasadores që të “mos e mbrojë më Ramën”.

Presidenti ka shkuar më tej duke i kërkuar ambasadores që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Sipas tij, Yuri Kim i ka kërkuar në emër të Ramës, të pranojë Ardian Dvoranin një ditë para mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti më 1 prill kërcënoi hapur Ardian Dvoranin, duke deklaruar se do të shkojë në burg.

Dvorani ka qenë një nga figurat më të sulmuara nga Meta, i cili shpesh e ka cilësuar si simbol i kapjes së reformës në drejtësi.

Por, administrata Biden nderoi mes shumë personalitetesh botërore dhe Dvoranin.

Titulli vjen si vlerësim për ata që kanë përkrahur me guxim përpjekjet antikorrupsion dhe thërret vendet që të punojnë për të përmbushur zotimet e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare të antikorrupsionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore