Shqipëria

Meta-Bashës: Të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së rojes që u dorëhoq


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka përmbyllur një ditë të tejmbushur nga replikat e kundër-replikat me kryedemokratin Lulzim Basha.

Përmes një statusi në median sociale “Facebook”, kreu i shtetit i ka bërë një thirrje të koduar Bashës.

“Zhvillimet e 8 janarit 2022 sollën edhe ndonjë shembull pozitiv, që bën thirrje për reflektim, siç është dorëheqja e rojes të selisë së PD-së, për të mos qenë dëshmitar i dhunës”, thekson fillimisht Meta.

Presidenti nënvizon në përfundim të statusit që “uroj, që të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së tij!”.

Reagimi i PD-së

Më herët, Partia Demokratike do të reagonte me një deklaratë për mediat.

“Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët”.

Kështu pikëniste kundërpërgjigja ndaj presidentit Ilir Meta, i cili theksonte se thelbi i krizës së demokratëve është “mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë”.

Sipas selisë blu, ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore