Përballje

Mësohet edhe kombëtarja e fundit që do të marrë pjesë në Kupën e Botës


Janë kompletuar 32 kombëtaret që do të marrin pjesë në Kupën e Botës, “Katar 2022”.

Skuadra e fundit që ka siguruar një biletë për eventin më të madh të futbollit për këtë vit, është Kosta Rika, që në play-off mposhti Zelandën e Re me rezultat minimal 1:0.

Sfida u zhbllokua shumë shpejtë, kur vetëm tre minuta pasi filloi ndeshja, ish-sulmuesi i Arsenal-it, Joel Campbell kaloi në epërsi kombëtaren e Kosta Rikës.

Në pjesën e parë, Zelanda e Re pati disa raste të mira për gol dhe atë e arritën në minutën e 39-të me anë të sulmuesit të Newcastle, Chris Wood, por goli i tij u anulua nga sistemi VAR për shkak të një faulli.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Kosta Rikës, derisa në pjesën e dytë Zelanda e Re u hodh e tëra në sulm për ta barazuar rezultatin.

Megjithatë kombëtarja nga Amerika Latine arriti të mbrohej mirë, për të siguruar pjesëmarrjen e madhe në Katar.

Kështu Kosta Rika ka siguruar për të pestën herë pjesëmarrjen në një Kupë Btë dhe do të bashkohet në Grupin B me Spanjën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore