Lajme

Mesazhi i Papa Françeskut për Krishtlindje: Lironi pengjet, ndalni luftën në Gaza


Mesazhi në bekimin “Urbi et Orbi” këtë Krishtlindje është lufta në Gaza.

Papa Françesku – para besimtarëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan – ka rikujtuar pengjet në Gaza.

“Kam në zemër dhimbjen për viktimat e sulmit të dhunshëm të 7 tetorit të kaluar dhe ripërsëris një apel urgjent për lirimin e atyre që janë ende peng”, ka thënë ai para qindrave besimtarëve.

Ai ka drejtuar po ashtu thirrje për ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite.

“Unë lutem që operacionet ushtarake, me pasoja të frikshme mes viktima të pafajshme civile, të ndalen dhe situata e dëshpëruar humanitare të përmirësohet përmes mbërritjes së ndihmave”, ka vijuar ai.

“Të mos vazhdojmë të ushqejmë dhunën dhe urrejtjen, por le të shkojmë drejt zgjidhjes së çështjes palestineze, përmes dialogut të sinqertë dhe këmbëngulës mes palëve, të mbështetur nga një vullnet i fortë politik dhe mbështetje e komunitetit ndërkombëtar”, ka theksuar Papa.

“Urbi et Orbi” është bekimi që jep Papa çdo vit ditën e Krishtlindjes e të Pashkëve, përballë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, vendlindja biblike e Jezusit këtë vit, duket si një qytet fantazmë në prag të Krishtlindjeve, pasi festimet në Betlehem janë anuluar për shkak të luftës Izrael-Hamas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore