Lajme

Mercedes-Benz do të ndërtojë stacione karikimi për makinat elektrike


Prodhuesi gjerman i automjeteve Mercedes-Benz është gati të investojë miliarda euro në ndërtimin e 10 mijë stacioneve të karikimit të shpejtë në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Kinë deri në vitin 2030.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke iu referuar deklaratës së Mercedes-Benz.

Koncerni njoftoi në panairin e automjeteve CES në Las Vegas, i cili zhvillohet nga 5 deri më 8 janar, se do të fillojë ndërtimin në Amerikën e Veriut këtë vit.

Kompania synon 2 mijë e 500 pika karikimi në 400 vende në shumicën e shteteve të SHBA-ve dhe Kanadasë deri në vitin 2027.

Në të njëjtën kohë, koncerni do të ndajë pak më shumë se një miliard euro investime të nevojshme deri në vitin 2030 për Amerikën e Veriut me filialin e Goldman Sachs MN8 Energy, një prodhues i energjisë së rinovueshme dhe operator baterish, dhe bashkëpunon me kompaninë e karikimit të rrjetit ChargePoint.

CEO i MN8, John Yoder tha se kompania pret të jetë fitimprurëse brenda pesë deri në shtatë vjet, ndoshta më shpejt nëse merr subvencione ose nëse normat e përdorimit janë më të larta se sa pritej.

Sipas Laboratorit Kombëtar të Energjisë së Rinovueshme, që nga korriku 2022, ka rreth 140 mijë karikues publikë EV në Shtetet e Bashkuara.

Sondazhet tregojnë se konsumatorët në mbarë botën po largohen nga blerja e automjeteve elektrike për shkak të mungesës së infrastrukturës së karikimit.

Në Evropë, ku Mercedes-Benz është tashmë pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët karikimi me Volkswagen, BMW, Ford dhe Hyundai të quajtur Ionity, infrastruktura po zhvillohet dhe rreth 375 mijë pika karikimi janë të disponueshme, sipas hulumtimit të McKinsey.

Megjithatë, rajoni ka nevojë për të paktën 3.4 milionë pika karikimi deri në vitin 2030 për të përmbushur rritjen e pritshme të kërkesës, thuhet në studim.

Marka e makinave Mercedes-Benz do të shpenzojë 1 miliard euro për të përshtatur rrjetin e saj global të prodhimit me automjetet elektrike – për sistemet e lëvizjes elektrike, duke përfshirë bateritë, disqet elektrike dhe boshtet, duke filluar nga viti 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore