Lajme

Menduh Thaçi: Ndërhyrja e Kurtit në Maqedoni të Veriut, njëjtë si e Putinit


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, teksa ka folur për ndërhyrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, ka thënë se ndërhyrja me kaq brutalitet shkon paralelisht me ndërhyrjet e Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.

“Ndërhyrja me kaq brutalitet e Kurtit në zgjedhje shkon paralelisht me ndërhyrjet e Rusisë në Bosnje dhe Hercegovinë e Mal të Zi. Ndërhyrja e Albin Kurtit me vetëdije apo pa vetëdije është paralelisht në kuptimplotësinë të ndërhyrjes së Rusisë dhe Putinit, nëse është pa vetëdije edhe më keq”, tha Thaçi gjatë një interviste në Tëvë 1.

Po ashtu, Thaçi ka thënë se ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet në RMV mund të ketë qëllim edhe tërheqjen e vëmendjes nga Kosova, pasi sipas tij, “e presim vendime të vështira”.

“Kurti po tenton që vëmendjen dhe fokusin ta bartë diku tjetër. Çështja tjetër mund të jetë për shkak të raporteve të mira që ka pasur zotëri Ali Ahmeti me krahun e luftës në Kosovë”, shtoi.

Thaçi ka thënë se rezultati që Kryeministri Kurti do të marrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, do të jetë më i dobët se ai që ka marrë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në vitin 2021, ku kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin marrë një numër tejet të vogël të votave.

“Nuk e kam shqetësimin minimal të rezultatit. Rezultati i tij në Maqedoni të Veriut do të jetë edhe më i keq sesa në Shqipëri. Të vetmin siklet që unë kam është kjo që ai me veprimet e tilla i m‘vesh fajësi Kosovës, fajësi që nuk e ka Kosova”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore