Kosova

Mendo/Voto siç të them unë, ose ik


Foto nga Albanian Post

Visar Korenica, aktivist nga Rahoveci, kishte bindje ideologjike që të varfrit duhet të ndihmohen, dora e shtetit duhet të shtrihet tek të gjithë, ndërsa për temat që preokuponin Kosovën, qëndrimi i tij ishte se demarkacioni me Malin e Zi është gabim dhe Gjykata Speciale s’është dashur të formohej.

Kur kishte parë një parti që përkonte me të gjitha këto qëndrime të tij siç ishte Lëvizja Vetëvendosje, dhe ata i kishin bërë ftesë për t’iu bashkuar, Korenica s’mendoi dy herë u anëtarësua.

Partia e zgjodhi koordinator në Rahovec, ky vetë u zgjedh deputet dhe Vetëvendosja u ngjit nga një parti e vogël në këtë qytet në partinë e dytë më të madhe.

Në kohën që Vetëvendosje i kishte bërë ftesë Korenicës, ata e kishin ditur se ai është person me pikëpamje konservatore, por kjo s’kishte paraqitur problem. Aktivisti i njohur në Rahovec konsiderohej aset i vlefshëm për rritjen e partisë.

Gjithçka po shkonte si është më së miri, derisa një ditë erdhi Kodi Civil për t’u votuar në Kuvend. Brenda tij, ishte edhe një nen që do ta bënte ligjërisht të mundshme që dy persona të gjinisë së njëjtë të vënë kurorë.

Kjo, siç partia e dinte, binde ndesh me pikëpamjet e Korenicës, prandaj dhe ai, normalisht, nuk e votoi.

Por, siç Korenica nuk e dinte, vota e tij do binte ndesh me pikëpamjet e kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të partisë së tij.

“Kurrë në forumet tona nuk është folur për komunitetin LGBTQ”, tha ai në emisionin Pressing në Televizionin 7.

“Në VV nuk ka gjë të shkruar rreth kësaj. Unë jam për të drejtat e të gjithëve, thjesht nuk pajtoj që martesa mes gjinisë së njëjtë të bëhet me ligj”, shtoi.

Për votën e tij Korenica do ftohej në bisedë edhe nga vetë Albin Kurti.

Ai aty do t’i tregonte se vota e tij kundër është problem. Korenica po ashtu do t’ia konfirmonte se vota e tij kundër është bindje. Dhe rikthimi i bindjes së tij në një problem për Kurtin kishte vetëm një rezultat – “lëçitje” për Korenicën.

Ai do të zhvishej nga funksionet që mbante në parti, duke u njoftuar përmes një e-maili se s’është më koordinator në Rahovec e as s’do mund të marr pjesë në zgjedhje të partisë në atë qytet. Më shumë gjasë, s’do jetë më as në listën për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

“Fillimisht më është kërkuar të jap dorëheqje. Kur u kam thënë se nuk po jap dorëheqje, ma kthejnë një e-mail që kryesia ka marrë vendim për shkarkim”.

Letra elektronike kishte vendimin, por jo shkakun.

“Normalisht që nuk e kanë shënuar pse”, thotë Korenica, por deklaron se i është pohuar gojarisht se “qëllimi kryesor është mosvotimi i Kodit Civil”.

“Kam pasur komunikim drejtpërdrejtë me kreun e lëvizjes, Albin Kurtin. Mua më është thënë drejtpërdrejtë pakënaqësia për mosvotim”.

Korencia s’ishte i vetmi që votoi kundër Kodit Civil,  rrjedhimisht s’ishte i vetmi që iu kërkua dorëheqja nga funksionet partiake.

“Edhe tre deputetëve të tjerë u është kërkua dorëheqja meqë edhe këta kanë pasur pozita udhëheqëse në parti”, tregon i shkarkuari tashmë, derisa vazhdon të shpërfaq habinë e tij për çfarë ka ndodhur.

“Unë jam ftuar nga Vetëvendosja, ata më kanë njohur. Kam pranuar të garoj me programin të cilin e ka Vetëvendosje, që të kontribuoj dhe të shkëputemi nga periudha e keqqeverisjes”.

“Por, unë qëndroj mbrapa bindjes time se pjesë të caktuara janë të papranueshme në Kodin Civil, martesa mes gjinisë së njëjtë saktësisht”.

“Edhe Kurti e ka ditur kush jam”, thotë.

Por, jo vetëm Kurti, paraprakisht Korenica ua kishte bërë të qartë edhe në Grupin Parlamentar qëndrimin e tij për atë pjesë të Kodit Civil.

“Ne në grup parlamentar kemi biseduar me orë të tëra dhe unë kam deklaruar votë kundër”.

Jo vetëm ai.

“Ka pas shumë deputetë që janë deklaruar kundër edhe para votimit”, pohon Korenica.

Nga Vetëvendosje për ta votuar këtë kod, ishte shkelur brutalisht pavarësia e deputetit për të votuar i lirë, dhe siç tregon deputeti nga Rahoveci, “është bërë presion i jashtëzakonshëm të votohet Kodi Civil”.

Arsyetimi që Kurti i kishte dhënë Korenicës për ta votuar Kodin, nuk kishte të bënte me ndonjë bindje të kryeministrit për të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshirë këtu dhe lirinë për të dashuruar e martuar këdo që të pëlqen.

Jo, ishte diçka shumë më praktike.

“Është kriter i Bashkimit Evropian”, i kishte thënë Kurti, përkundër se kjo nuk është e vërtetë, sepse ka vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe nuk e kanë këtë ligj.

“Kriter për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ishte vazhduar argumenti, gjithsesi aspak bindës për Korenicën, sepse ai kishte hulumtuar dhe parë që votimi i këtij ligji s’ka lidhje me procedurat e anëtarësimit.

Por, shpalos ai, kështu i ishte thënë.

“Duhet ta mbyllim një sy, sepse po kërkohet për integrim”.

Korenica është pyetur në studio të emisionit se a e dinte ai edhe më parë që Kurti kishte bindje tjetër krahasuar me atë të tijën?

“Nuk është diskutuar asnjëherë kjo çështje”, tregon ai, duke shtuar se “shmangja nga paradat ka qenë edhe për ne sinjal”.

“Këto na kanë dhënë të kuptojmë që në faza të caktuara ne nuk do të duhej të kishim presion për këtë çështje”.

Në këtë zinxhir befasish për Korenicën, një e çuditi më shumë se gjithçka tjetër.

Në pozitën e tij të koordinatorit Vetëvendosje e ka caktuar një pëson me emrin Ali Dula. Ai, po njëjtë si Korenica, ka bindje se nuk bën të lejohen me ligj martesat e gjinisë së njëjtë.

“Edhe koordinatori i ri që është zgjedhur nuk mendon ndryshe nga unë”, thotë Korenica.

Pra, pse duhej të zëvendësohej për të ardhur dikush që mendon njëjtë?

Sepse Dula nuk është deputet, prandaj nuk do të pengojë në parlament, kurse votuesit konservatorë që kanë përkrahur Korenicën, s’kanë arsye që të mos e përkrahin edhe Dulën, që mendon njësojë si Korenica. Kështu, as nuk pengohen në Kuvend dhe as nuk humbin vota në terren.

Situata me deputetin nga Rahoveci është veç një në modelin e ngjashëm të shumë situatave të tjera me deputetë të VV-së.

Në publik është thënë se janë pesë ose gjashtë deputetë me pikëpamje më konservatore brenda Vetëvendosjes, por Korenica deklaron se janë “shumë më shumë se kaq”.

Ai beson se kjo lloj qasje e Vetëvendosjes e ka dëmtuar partinë dhe do ta dëmtojë edhe më shumë në të ardhmen në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore