Kosova

Menaxhmenti i “Trepçës” largon edhe një minator nga puna


Foto nga Albanian Post

Kompleksi metalurgjik “Trepça”, të hënën, ka larguar nga puna punëtorin me inicialet V.B.

Përmes një njoftimi për media theksohet se kjo ka ndodhur me arsyetimin se personi në fjalë ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.

“Pas mbajtjes së shqyrtimit publik Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5, 1.8, 1.16, 1.24, 1.39 dhe 1.52 i Rregullores nr.prot. 2906 dt. 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.”, thuhet në njoftim.

“Komisioni Disiplinor ka sjellur vendim me nr.prot:4637 të dt. 26.8.2024 dhe ka shqiptuar masën disiplinore ndërprerja e marrëdhënies së punës për V.G”.

Megjithatë ky largim nuk është i vetmi – në javët e fundit menaxhimenti i Trepçës ka larguar nga puna edhe 13 punëtorë të tjerë.

Në anën tjetër Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se minatorët të cilëve së fundi iu është shkëputur marrëdhënia e punës nga menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A, vetëm se kishin dhënë dorëheqjet e tyre nga puna në këtë institucion.

Në reagimin e lëshuar thuhet se se ndërprerja e marrëdhënies së punës për këta persona nuk ka të bëjë fare me shprehjen pakënaqësive përmes protestave apo ndonjë hakmarrje në drejtim të paknaqësive të tyre.

“Menaxhmenti thjeshtë e ka zyrtarizuar dorëheqjen e atyre, të cilët veç se janë larguar me dëshirën e tyre nga ndërmarrja qoftë duke emigruar apo punësimit të tyre diku tjetër, apo edhe ka zbatuar procedurat ligjore për personat që janë në ndjekje penale”, thuhet në njoftim.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat,

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Menaxhmenti i “Trepçës” largon 13 minatorë nga puna

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore