Shqipëria

Memex, apo jo?


Autoritetet shqiptare mohuan të hënën e 3 tetorit se sistemi policor i vendit ishte hakuar.

Kjo, pas raportimeve se të dhënat e personave nën hetime për krime u publikuan nga grupimi “Homeland Justice”.

“Qëllimi i tyre është frika, terrori dhe sidomos përplasja e personazheve të medias me ata të politikës”, deklaroi për Albanian Post profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Policia e Shtetit mohoi se sistemi i saj Memex ishte dëmtuar, por u kërkoi mediave lokale të mos publikonin të dhëna nga hakerat.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi se lista nuk kishte ardhur nga baza e të dhënave të policisë kriminale.

Ai tha se Microsoft dhe Byroja Federale e Investigimit (FBI) po ndihmonin autoritetet shqiptare të rikuperonin sistemet e prekura.

Duke folur në Kuvend, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se lista synonte të krijonte shqetësime sociale duke nxjerrë një “listë të foto-redaktuar që përzien kriminelët me politikanët, me gazetarët”.

Por, nëse nuk është prekur sistemi ‘Memex’, përse autoritetet janë hezitojnë të publikojnë faktet lidhur me mohimin e këtyre raportimeve.

Sipas Karamuços, ka nisur një hetim dhe këto të dhëna mund të jenë të manipuluara nga vetë ata (autoritetet) ose mund të jenë disa lloje skedarësh që përdoren kur merret një pasaportë.

“Në momentin që i kemi analizuar na ka shkuar mendja që ishin pjesë e Memex-it, aty bëhet fjalë për 100 mijë persona. Kjo ishte shumë masive dhe nuk janë sipas formateve të Policisë së Shtetit”, vëren ai për AP-në.

Profesori i kriminologjisë foli në vijim edhe për mungesën e parandalimit të këtyre faqeve, të cilat nxjerrin vazhdimisht të dhëna të ndjeshme.

“Mënyra se si këta arrijnë çdo javë nxjerrin të dhëna sensitive do të thotë se ne nuk jemi të aftë të mbyllim Telegram-in ose pjesë të saj, do të thotë që jemi përballë disa armiqve, jo përballë një armiku. Nuk ka transparencë për dëmin e plotë”, vëren ai.

Për Karamuçon, mund të flasim edhe për rrjedhjen e sekreteve shtetërore në këtë rast.

“Kemi parë se si janë publikuar përmes shkresave, e-maileve. Ajo që duhet të dimë nga institucionet shqiptare është se sa i mbrojtur është qytetari sot, ku ndodhen sot të dhënat, pse nuk po i heton, pse nuk po i bllokon këto faqe”, tha në përmbyllje profesori për AP-në.

Kompania, e cila është përgjegjëse për zhvillimin e këtij sistemi, nuk i është përgjigjur ende kërkesës për koment nga ana e Albanian Post.

Muajin e kaluar Shqipëria ndërpreu lidhjet diplomatike me Iranin për shkak të një sulmi kibernetik të 15 korrikut që mbylli përkohësisht shumë shërbime dhe faqe interneti digjitale të qeverisë shqiptare.

Pasi Tirana ndërpreu lidhjet me Teheranin, një sulm i dytë kibernetik nga i njëjti burim iranian goditi një sistem informacioni që regjistron hyrjet dhe daljet në kufirin shqiptar, duke krijuar vonesa për udhëtarët.

NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian denoncuan sulmin dhe mbështetën lëvizjen e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.

Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj agjencisë së inteligjencës së Iranit dhe udhëheqjes së saj në përgjigje të sulmit kibernetik të korrikut.

Shqipëria, një anëtare e NATO-s, po ndihmohet nga aleanca, SHBA-të dhe BE-ja për të hetuar dhe instaluar mbrojtje më të mira kibernetike.

Bie sistemi më i sofistikuar i komunikimit policor – Homeland Justice vijon publikimet e materialeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore