Kosova

Meloni në Beograd


Giorgia Meloni

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, të dielën do të qëndrojë për vizitë në Beograd, ku do të pritet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa përveç bashkëpunimit dypalësh, pritet të diskutojnë edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Vizita e Melonit në Serbi është e para prejse ajo ka marrë drejtimin e Qeverisë së Italisë, megjithëse nuk është hera e parë që takon presidentit serb. Vizita e Melonit vjen në dritën e përpjekjeve të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithashtu, vizita e kryeministres italiane vjen rreth 1 muaj pas ciklit të takimeve në Bruksel të Belgjikës, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, ishin takuar veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut.

Përfaqësuesit e shteteve kryesore të BE-së kishin shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi në tetor, në një kohë kur tensionet ishin ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Meloni është angazhuar drejtpërdrejtë në procesin e dialogut, posaçërisht pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Meloni, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, ka prezantur një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore