Kosova

Melenchon – majtisti që u mbështet nga Kurti – kundër pavarësisë së Kosovës


Jean-Luc Melenchon

Jean-Luc Melenchon, lideri i lëvizjes ekstreme “Franca e Panënshtruar” në Francë, pjesë e aleancës majtiste Fronti i Ri Kombëtar (NFP), fitues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare franceze, për të cilin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, shprehu përkrahje javën e kaluar, shtet imagjinar e cilësoi Kosovën para gjashtë vjetëve.

Në një artikull të botuar në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai etiketoi hapin unilateral të shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e denoncuar edhe NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ndërhyrjen në Kosovë, në vitin 1999.

“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. Pas 19-vjetësh, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, eksistenca e së cilës varet nga kjo prani. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme”, shkroi ai në shkurt të vitit 2018.

LVV-ja, partia që udhëheq pushtetin ekzekutiv në Kosovë, para zgjedhjeve franceze, bëri thirrje që diaspora kosovare të votojë kundër të djathtës ekstreme, duke shprehur drojën për pasojat që mund të vijnë nga një fitore potenciale e forcave populiste, nacionaliste e euroskeptike në zgjedhje.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘Nouveau Front Populaire’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës”, konsideroi ky subjekt politik.

E, përveç përhapjes së narrativës së gënjeshtërt rreth “paprekshmërisë së kufijve” në Evropë dhe pretendimeve të rreme për “destabilizimin e rendit ndërkombëtar” pas ndërhyrjes së NATO-s, francezi akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së për “trafikim organesh” gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Fjala Kosovë është zhdukur nga fjalori i mësuar përmendësh. Trafikimi i organeve të marra nga të burgosurit nga heronjtë që e çliruan Kosovën kaloi pa u vënë re, nuk është komentuar as vendosja e një baze gjigante të SHBA-së në shtetin derivat. Përgjegjësia e mafias shqiptare të mbrojtur nga qeveria në këtë trafikim nuk mund të diskutohet”, shkroi majtisti francez.

“Prania e NATO-s ishte konceptuar brenda kornizës së një statusi të pashembullt të protektoratit të përkohshëm ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës nuk ishte parashikuar. Ajo nuk mund të pranohej, posaçërisht nga Rusia, aleatja historike e së cilës është Serbia. Bllah-bllah-bllah”, shtoi ai.

Ndryshe, blloku i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Melenchonit, doli fuqia dominuese në Asamblenë Kombëtare të Francës pas zgjedhjeve të së dielës, në bazë të sondazheve preliminare, por asnjë grup nuk fitoi vetëm shumicën dhe ekziston mundësia që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore