Kosova

Mehaj për sulmet ruse në Ukrainë: Nëse kërkon SHBA, Kosova do të ofrojë të gjitha kapacitetet operacionale të FSK-së


Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka reaguar pas sulme të Rusisë në Ukrainë duke thënë se nëse kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është e gatshme të ofrojë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ai këto deklarime i ka bërë në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme”, ka shkruar Mehaj.

Ai ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të pranojnë informacione vetëm nga institucionet relevante shtetërore.

“Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intensivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë”.

Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Mehaj, ka sqaruar edhe qëllimin e kësaj dezinformate, që sipas tij synimi i vetëm është shkaktimi i konfuzionit.

“Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj”.

“Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponsorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale”.

Ministri i Mbrojtës, është shprehur se si institucion janë vazhdimisht duke monitoruar të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale, e po ashtu “synimet dhe aktivitetet e akterëve armiqësor që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë nga jasht”.

Ai ka kërkuar nga SHBA që të miratoj vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

“Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozisht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë”.

Mehaj ka vlerësuar gjithashtu se është koha që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

Lexo ngjarjen e plotë duke klikuar KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore