Kosova

Mehaj: Numri më i madh i kandidatëve për rekrutim në konkursin e FSK-së është nga komuniteti ashkali


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në ditën nacionale të komunitetit të ashkalive ka bërë të ditur se numri më i madh i kandidatëve për rekrutim në Forcat e Sigurisë së Kosovës është nga ky komunitet.

Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ky komunitet ka rëndësi të madhe për FSK-në.

“Komuniteti ashkali zë vend të rëndësishëm në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe janë shembull i mirë i bashkëpunimit dhe i shërbimit ndaj atdheut, pjesëtarë të cilët detyrën e tyre ushtarake e kryejnë me nder, profesionalizëm dhe përkushtim”.

“Vlen të theksohet që numri më i madh i kandidatëve për rekrutim në FSK në konkursin e fundit është po nga ky komunitet”, ka shkruar Mehaj.

Ai tutje në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të gjitha ushtarakëve ashkali në FSK, komunitetit ashkali në Kosovë, ua ka uruar ditën e tyre nacionale.

Që nga viti 2008, Qeveria e Kosovës ka një strategji për integrimin e komuniteteve si atij rom, ashkali dhe egjiptian edhe me anë të një Plan Veprimi për zbatimin e kësaj strategjie, ku përfshihet edhe identifikimi i zonave me rëndësi të veçantë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë, thuhet se jetojnë 8 mijë e 824 romë, 15 mijë e 436 ashkalinj dhe 11 mijë e 524 egjiptianë.

Kurse, në shkolla fillore, sipas statistikave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 procesin e mësimor e kanë zhvilluar 3 mijë e 755 ashkalinj, 1 mijë e 67 romë dhe 1 mijë e 125 egjiptianë. Numër më i vogël paraqitet në shkolla të mesme.

Numri më i madh i këtyre komuniteteve jeton në Ferizaj, Gjakovë dhe Fushë Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore