Shqipëria

Mehaj: Me Shqipërinë kemi dyfishuar bashkëpunimin ndërushtarak


Stërvitjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, foto: Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se për një muaj janë shkëmbyer eksperiencat e Forcave të Ushtrisë së Sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kemi arritur që të dyfishojmë bashkëpunimin ndërushtarak, që ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Ministri, ka shtuar se duke bashkuar dy ushtritë fuqia gjithmonë është më e madhe.

“Vizionin e përbashkët e mbështesim në konceptin “smart defense”, me mbështetjen dhe koordinimin e plotë me aleatin tonë jetik SHBA-në,  gjithnjë në funksion të përmbushjes së misioneve tona kushtetuese, dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendeve tona, rajonit tonë dhe botës liridashëse dhe paqedashëse”.

Edhe në muajin shtator, Mehaj, kishte bërë të ditur se Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, kanë kryer stërvitje të përbashkët ushtarake.

Sipas Mehajt, stërvitja në fjalë ka ardhur para dislokimit të dy ekipeve përfaqësuese të FKS-së dhe FASH në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ekipet përfaqësuese do të marrin pjesë në Stërvitjen/Garën më të famshme të patrullimit ushtarak ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2022”. Së bashku gjithmonë më të fortë dhe më të suksesshëm!”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore