Lajme

Mediat serbe: Vuçiç-it i është caktuar dhjetori si afat për Marrëveshje me Kosovën


Zyrtarët perëndimorë i kanë dorëzuar Serbisë një kërkesë që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, raportojnë mediat e afërta me presidentin serb.

Për këtë çështje Vuçiç ka paralajmëruar një intervistë për të enjten në orën 21:00 në TV Prva.

Sipas gazetës serbe të afërt me pushtetin Novosti, “në këtë shtrëngim të përshpejtuar të unazës rreth Serbisë, Perëndimi e sheh propozimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron si pikënisje për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, pra modelin e dy Gjermanive”.

Edhe në një konferencë të Vuçiç, të hënën, kur u pyet nga gazetari i N1, kanalit partner të CNN për Ballkanin, se “a jeni edhe ju dakord me afatin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare deri në vitin 2024?”.

Vuçiç pohoi se “nuk ma kanë thënë mua 2024”, për të lëshuar më pas një njoftim të papritur.

“Mua më kanë përmendur diçka shumë më pak, nuk është punë muajsh, por punë javësh”, tha ai, derisa fliste bashkë me shefin e BIA-s, Bratislav Gashiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore