Kosova

Mediat serbe raportojnë se Kosova ka dërguar te shtete anëtare të BE-së notë verbale për Lajçakun


I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak

Ambasada e Kosovës në Bruksel ua ka dërguar një notë verbale përfaqësueseve të 27 shteteve të Bashkimit Evropian përmes së cilës ka adresuar kritika të mëdha ndaj të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Në notën verbale të cilën e ka publikuar mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online i cili dyshohet se financohet nga Serbia, thuhet se Kosova është plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar në procesin e normalizimit dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes kryenegociatiorit Besnik Bislimi ka dorëzuar “tre propozime konstruktive” gjatë takimit të 14 shtatorit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

“Kjo qasje e pabalancuar e prish zgjidhjen e drejtë në qendër të propozimit franko-gjerman dhe për këtë arsye do të shuante çdo shpresë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë”, thuhet në dokumentin që e ka publikuar mediumi serb i cili dyshohet se financohet nga Beogradi.

“Qasja e Lajçakut ishte që të përputhej plotësisht me këmbënguljen e Serbisë, që ajo të mos përmbushë asnjë detyrim sipas neneve 1-5. Një marrëveshje bazë që përfshin elementet më të rëndësishme të asaj që do të ishin vlerat evropiane të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe njohjes reciproke të integritetit territorial dhe juridiksionit ndërkombëtar”.

Po ashtu theksohet se pavarësisht propozimit konstruktiv të Kurtit, “Lajçak ka refuzuar të vazhdojë diskutimin që në fillim, duke deklaruar para kohe se palët nuk kanë mundur të merren vesh për një plan gjithëpërfshirës dhe se propozimi i Serbisë gjithashtu u refuzua”.

Sipas dokumentit, vetëm Kosova ishte e përfshirë në bërjen e propozimeve specifike për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes, ndërsa Serbia insistoi në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Dhe, në vend që Serbia të bëjë kundërpropozime, këtë e ka bërë Lajçak, i cili ka paraqitur propozimin e tij ‘kundër propozimit të Kosovës. Në këtë mënyrë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u kthye në dialog mes Kosovës dhe Lajçakut. Ndërmjetësi madje u angazhua në keqinterpretim, duke pretenduar rrejshëm se e kishin ndarë këtë dokument me Kosovën në të kaluarën”.

Në dokument potencohet se është e qartë se Serbia dhe Lajçaku “ndajnë të njëjtën logjikë” – së pari Asociacioni si parakusht, e më pas obligimet e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes.

Sipas dokumentit, BE-ja nuk duhet të mbështes një interpretim të pjesshëm dhe të pabalancuar të marrëveshjes, por duhet hapur të pyesë “nëse Serbia i përmbahet marrëveshjes në tërësi apo jo”.

“Kemi një marrëveshje të padiskutueshme, e cila duhet të zbatohet në tërësi, Kosova mbetet e gatshme të fillojë bisedimet për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë, si pjesë e procesit të zbatimit në të cilin edhe Serbia merr përsipër të përmbushë obligimet e saj. Për hir të së ardhmes së qëndrueshme të Ballkanit Perëndimor, ne të gjithë duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur normalizimin. Kosova edhe një herë garanton se do ta zbatojë me besnikëri pjesën e marrëveshjes”.

Kritika për Lajçakun pati edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media të hënën, duke e akuzuar diplomatin sllovak se po punon “në favor të Serbisë”.

“Nuk e di sa e ka ditur, jo Bashkimi Evropian dhe qeveritë më të fuqishme të BE-së, por sa e ka ditur vetë Borrell që Serbia nuk bën propozime. Në një moment kur unë i them Vuçiç-it cili është propozimi juaj, edhe Borrell i thotë cili është propozimi? Pastaj Lajçak tha ‘jo jo e ka dhënë më herët’. Pastaj na sollën një dokument që është më i vjetër që gjashtë muaj”.

Madje Kurti theksoi se ka njoftuar shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të për njëanshmërinë e Lajçakut, derisa tregoi se me 15 shtator, “u kam dërguar letër Parisit, Berlinit, Romës edhe Uashingtonit”.

“Nuk është këtu çështja BE, SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një emisar i cili e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të Marrëveshjes, por duke lejuar që qerrja të vije para kuajve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore