Lajme

Mediat ndërkombëtare njoftojnë për protestën e PSD-së kundër ardhjes së Trendafilovës


Pamje nga protesta e PSD-se.

Mediat ndërkombëtare kanë njoftuar për protestën e së mërkurës, që u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD), kundër vizitës së Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova në Kosovë.

Rrjeti amerikan i lajmeve “ABC”, në lajmin për protestën e PSD-së, kanë theksuar se anëtarët e kësaj partie “u përpoqën të hynin në një hotel në Prishtinë”, aty ku Trendafilova do të mbante një takim me gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, derisa e përshkruajnë momentin kur protestuesit hedhin gaz lotsjellës.

“Nuk ka transparencë në atë gjykatë që zhvillon seancat me dyer të mbyllura, që nuk tregon se ku i ka gjetur provat”, tha protestuesi Nol Nushi. Gjykata është “e padrejtë dhe për këtë ne protestojmë sot”.

Po ashtu, mediumi në fjalë ka përmendur edhe arrestimet e aktivistëve të PSD-së nga policia.

Për protestën e PSD-së ka shkruar edhe një media tjetër amerikane “New Haven Register”, të cilët kanë paraqitur arsyet e protestës së PSD-së.

“Demonstruesit besojnë se gjykata e Dhomës së Specializuar të Kosovës akuzon padrejtësisht ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose UÇK-së, të cilët luftuan gjatë luftës kundër Serbisë në vitet 1998-1999, për krime lufte”, thuhet në lajmin e kësaj gazete amerikane.

Edhe agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency”, i kushtuar vëmendje kësaj proteste.

“Përafërsisht 100 demonstrues mbanin pankarta ku shkruhej: ‘Trendafila JASHTË’, ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk mund të gjykohet’; dhe ‘Propaganda ka dështuar’”, ka shkruar kjo agjenci e lajmeve.

Për protestën ka njoftuar edhe rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, i cili në fillim të tekstit thotë se Trendafilova, “u përball me protesta masive gjatë vizitës së saj në Prishtinë të martën nga kundërshtarët e prokurorisë së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”.

“Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej ‘është turp të mbrohet gjenocidi i kryer nga Serbia’, se asnjë gjykatë nuk duhet të gjykojë vetëm anëtarët e një komuniteti etnik dhe se ndjekja selektive e krimeve nuk ishte drejtësi për viktimat”, thuhet në këtë lajm.

Po ashtu, aty është përmendur edhe arrestimi i aktivistëve të PSD-së, përfshirë i kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj.

S’përjashtohen dënime të përjetshme për krerët e UÇK-së – Trëndafilova 3 orë llafe në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore