Shqipëria

Media kroate tregon detaje nga aksidenti i autobusit shqiptar, gjuha bëhet pengesë për zbardhjen e rastit


Një aksident i rëndë automobilistik, në të cilin është përfshirë një autobus me targa të Shqipërisë, i ka marrë jetën një shtetasi shqiptar dhe ka lënë të plagosur nëntë të tjerë, kur detajet e plota të ngjarjes ende nuk janë zbardhur dhe ndikim te kjo, ka pasur edhe vështirësia gjuhësore në komunikim.

Sipas medias së njohur kombëtare kroate “HRT Vijesti”, me shtrimin e shtetasve të plagosur shqiptarë në spital është parë e udhës që ata të pyeten mbi rastin. Por, ka qenë mungesa e një përkthyesi aktualisht problemi për të arritur të merren detaje.

Siç raportohet nga gazeta kroate, shumë shpejt pritet që një përkthyes të mbërrijë në spitalin ku të lënduarit janë dërguar.

Nga ana tjetër, është mësuar se 41-vjeçari i mbetur i vdekur nga aksidenti, është shtetasi Gazmir Korbi, i cili ka qenë edhe shoferi i dytë i mjetit të udhëtimit, por nuk ka qenë në guidë në çastin e aksidentimit.

Ndërkohë, Unioni shqiptar në Kroaci ka zbuluar edhe emrat e disa prej të plagosurve.

Ata janë Adem Rexha, i cili ishte shoferi i autobusit dhe Armand Shaba e Ylli Muça, dy pasagjerë.

Një deklaratë për shtyp lidhur me gjendjen e pacientëve e ka dhënë edhe drejtori i Spitalit Ogulin, Davor Vukelja, i cili ka thënë se një paciente e moshuar është në rrezik për jetën dhe prognoza për gjendjen e saj është e rëndë.

Dy pasagjerë të tjerë kanë po ashtu lëndime të rënda, të cilët gjenden në repartin e kirurgjinë, por gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Një shtetase e katërt e cila po trajtohet është një grua më e re në moshë, e cila ka pësuar lëndime të lehta.

Po ashtu, personat e tjerë të përfshirë në ngjarje, kanë lëndime të lehta.

Mbi ngjarjen ka komentuar edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ka bërë me dije se po ndjek me shqetësim aksidentin tragjik që ndodhi në Kroaci.

Begaj i ka shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Gjithashtu ai i siguron të gjithë familjarët e të lënduarve se po e ndjek situatën në vijimësi duke komunikuar me Ambasadorin shqiptar në Kroaci, si dhe me autoritetet kroate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore