Film

‘Mean Girl’ Olta Gixhari


Foto nga Albanian Post

Regina George ishte kryesorja e shkollës North Shore High School në Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është bionde, e bukur, ka grupin e saj që i mban zhagun, ndjek modën, ka familje të pasur, veturë kabriolet të kuqe e parfume të shtrenjta.

Kjo Regina është personazhi kryesor i filmit legjendar “Mean Girls” apo “Vajza të Liga” – njëra nga kryeveprat e komedianes Tina Fey. Epiteti ‘kryevepër’ mund të tingëllojë ekzagjerim, por kjo komedi e vitit 2004 nuk do e ketë anashkaluar ekranin e askujt që aso kohe ishte adoleshent.

Ajo është e qetë sepse i duket se ka gjithçka në jetë dhe nuk ka nevojë të bëjë luftëra – është e rrethuar me shërbëtorë e simpatizantë. Kështu vaj i shkon derisa një ditë prej ditësh në shkollë nuk vjen Cady Heron që në film luhet nga Lindsay Lohan.

Ndonëse Regina e zë shoqe në fillim sepse e sheh si projekt të sajin që mund ta transformojë në njërën nga ata të grupit, Cady prish çdo gjë. Këtë biondja s’e kishte llogaritur.

Olta Gixharri është prototip i Reginës.

Ajo ka hyrë në Big Brother duke menduar se është mbretëreshë dhe bënte ashtu me plot të drejtë. Çdokush në garë hyn për të fituar.

Ama çka nuk kishte llogaritur Olta aspak, ishte Luizi. Ndonëse Olta mund t’i kishte bërë kalkulimet e saja nuk e kishte menduar se dikush brenda shtëpisë do e bënte t’i binte me jastëk divanit nga zemërimi.

Një moment të tillë ka Regina në film kur e kupton që Cady, për shkak të lojës së saj me pozicione, e kishte bërë të hante një lloj ëmbëlsire duke e bërë të mendonte se ishte diçka për të rënë në peshë.

Olta nuk ka fuqi të argumentit me Luizin dhe ajo e di këtë gjë. Prandaj pa dijeninë e saj vuan nga agresiviteti simbolik. Nëse në fillim mund ta kishte komunikimin argumentativ, tani pak ka mbetur nga ajo aftësi dhe ka kaluar në komunikim agresiv.

Këto sjellje njerëzore i gjen të shpjeguara edhe në literaturën e psikologjisë. Hiç më pak se autori francez Pierre Bourdieu është gjeniu që qëndron prapa “shpikjes” së teorisë së dhunës simbolike që Olta e ka manifestuar në disa raste në grindjet me Luizin.

“Dhuna simbolike”, thotë Bourdieu “e përshkruan një tip të dhunës jo-fizike që manifestohet në diferencën e grupeve të ndryshme shoqërore”.

Nga ky definicion mund të konstatojmë që Olta pretendon që të tjerët ta shohin më lart se Luizin.

Një element i rëndësishëm i “dhunës simbolike” apo “agresionit simbolik” është përdorimi i trupit e gjesteve për ta intimiduar dikë.

“Vogëlush, këto janë argumentat e tua”, i thoshte ajo duke ju afruar edhe me trup nga një pozicion më lart, meqë Luizi ishte i ulur në divan. “Shhhhh, shhhhhh, shhhhh”, bënte me gisht afër gojës në drejtim të tij.

Olta është një vajzë e zgjuar por e paaftë ta kontrollojë veten dhe s’e ruan dot qetësinë dhe këtë e tregon sa herë që thotë “e qetë jam unë”.

Luizi ka viktimat e tij në podrum, në fakt e ka të mbushur podrumin me sosh. Megjithatë lojën po e bën dhe po e ruan taktin.

Ndërkaq kundërshtarja e tij, edhe në këtë frymë të fuqishme feministe e madje në një kohë kur do ishte menduar që për herë të parë një Big Brother VIP shqiptar do ta fitonte një grua, po e humb lojën duke u bërë “vajzë e ligë”.

As gratë nuk e duan fort. Nëse rrjetet sociale mund të konsiderohen matës të opinionit publik, Olta Gixharri është gruaja që s’duan të jenë.

Dhuna fizike, psikologjike e ekonomike ndaj grave kap shifra të frikshme globalisht. Nga një raport UN Women – agjencisë së Kombeve të Bashkuar për barazinë gjinore – i vitit 2021 del se të paktën 1 në tri gra ka përjetuar dhunë fizike gjatë jetës së saj.

Përpjekje gjigante për ta eliminuar dhunën me bazë gjinore nga e gjithë bota nga të gjitha frontet. Dhe Olta, një grua e edukuar e emancipuar i jepte zemër Kejvina Kthellës kur e goditi shuplakë Luizin.

Sigurisht tekstualisht s’ia tha, por s’e kritikoi dhe në ajër ndjehej energjia e saj. Olta po e përdorte Kejvinën për t’i dhënë një mësim Luizit.

Por mos-reagimi i saj karshi dhunës fizike është i pafalshëm sepse ajo mbahet për lidere në atë shtëpi dhe nga banoret që shet mend çdo ditë. Për çfarëdo shume e çfarëdo loje, një shuplakë ndaj dikujt – qoftë burrë a grua – duhet të deklarohet e papranueshëm.

Gratë si Olta e Kejvina duke shpërthyer në dhunë fizike e simbolike, e dëmtojnë pakthyeshëm feminizmin.

Për më tepër rrisin simpatinë e publikut për Luizin, që herë pas here tregohet edhe seksist me komente.

Në fund të filmit, Regina mbledh mend dhe i kupton gabimet e veta. Kthehet me këmbë në tokë.

Por Olta ende është një “Mean Girl”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore