Më 6 tetor mbahet protestë kombëtare, vendos kryesia e PD-së

Mbledhja zhvillohet pas dënimit të Ervin Salianjit me 1 vit burg
SHFLETO
Rajmonda Basha
26.09.2024 22:32
Loading Icons...

Ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike në të cilën është marrë vendimi që 6 tetori të jetë protestë kombëtare.

Kjo, pas vendimit të Gjykatës e cila vendosi dënimin e deputetit demokrat Ervin Salianji me 1 vit burg.

Sekretari i PD, Famur Noka ka shprehur propozimet e tij, duke thënë se duhet të zhvillohen protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore, të porteve dhe universiteteve.

“Protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore, të porteve, aeroporteve dhe universiteteve”, mësohet të ketë thënë Noka.

Ose të qëndrojmë dhe të justifikojmë besimin e votuesve, ose ne nuk meritojmë të qëndrojmë në këtë karrige dhe të përfaqësojmë demokratët, detyra jonë është të ngrihemi, ky regjim nuk ndalet ndryshe”, tha Noka më parë, gjatë zhvillimit me dyer të hapura të mbledhjes.

Nga ana tjetër, deputetja Ina Zhupa theksoi nevojën për një protestë të pandalshme dhe të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri.

“Nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë”, tha Zhupa.

“Deputetët duhet të jenë në ballë, në parlament, në rrugë. Dënimi sot, duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë, tregon qartësisht arrogancën e pushtetit. Arroganca do përballje, vendosmëri dhe qëndresë të palëkundur. Nuk na intereson karrigia po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve”.

Ndërsa, Agron Gjekmarkaj theksoi rëndësinë e një reagimi të menjëhershëm për situatën e Salianjit, duke kërkuar zhvillimin e diçkaje simbolike që nesër.

Ai u shpreh se, nëse Partia Socialiste do të kishte përjetuar një situatë të ngjashme kur ishte në opozitë, do të kishte pasur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët.

“Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët”, tha Gjekmarkaj.

“Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët, sepse dënimi politik do të thotë që kjo drejtësi e re nuk funksionon ashtu siç duhet”.

Kujtojmë që, vendimi i marrë është përfundimtar dhe pritet që prokurori i çështjes të firmosë urdhër-ekzekutimin, sipas të cilit Salianji duhet të kryejë dënimin me një vit burg.

Salianji preket ndërkohë edhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ-ja i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por dhe të vitit 2029.

Konstatimi i humbjes së mandatit të tij do të formalizohet përmes Këshillit të Mandateve në Kuvend që njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar.

Në momentin që KQZ njoftohet se është krijuar një vakancë në Kuvend, përcakton se cilit qark dhe cilës forcë politike i përket mandati i mbetur bosh.

Përfaqësuesit ligjor të deputetit demokrat zbuluan për Albanian Post se hapi i radhës do të jetë rekursi në Gjykatën e Lartë, ndërsa kërkesa për vënien në provë, pra lirimi me kusht mund të bëhet në javët në vijim.

Gjithçka nisi kur Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë”.

Kjo, lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi asokohe 1 vit burg për ish-deputetin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën edhe ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata, me kërkesë të Ministrisë të Drejtësisë, vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.