Shqipëria

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zyrtarizoi mbylljen e procesit të votimit për zgjedhjet vendore 2023.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp.

Celibashi zbuloi se 34.37 për qind është pjesëmarrja në 4 mijë qendra votimi që kanë raportuar përmes identifikimit elektronik.

“Kemi konstatuar se në 11 për qind të Qendrave të Votimit janë hasur vështirësi në gjetjen e qendrës së votimit. Kemi konstatuar se në 62 Qendra Votimi nga 5 mijë e 213 në total ka pasur shkelje për materiale propagandistike në një distancë prej 150 metra”, vuri në dukje kryekomisioneri.

Ai shtoi se ka pasur një pezullim për procesin e votimit në 40 Qendra Votimi.

Sipas tij, ky është numër shumë i vogël nga sa “është propaganduar dhe është paraqitur si shqetësim”.

“Për 30 Qendra Votimi është raportuar votim në grup, në katër raste kemi marrë raportim për votim jashtë dhomës së fshehtësisë. Në 10 për qind është përdorur lista në mënyrë manuale”, vijoi Celibashi.

I gjithë procesi është shoqëruar nga problematika të lidhura me identifikimin elektronik, votimin familjar dhe intimidimin e zgjedhësve e cila u denoncua nga partitë politike.

Pjesëmarrja tepër e ulët ka qenë kryefjala e ditës së votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Por dalja publike e Celibashit për përditësimin e orës 17:00 krijoi një përplasje të vërtetë mes shifrave të raportuara online nga KQZ-ja dhe atyre reale të pjesëmarrjes në procesin e votimit.

Sipas shifrave të pasqyruara në faqen e KQZ-së, deri në orën 18:00, vetëm 36.39 për qind e qytetarëve me të drejtë vote u janë drejtuar kutive.

Kjo, referuar 2 mijë e 662 qendrave të votimit të raportuara nga 5 mijë e 213 në total për 694 mijë e 836 zgjedhës.

Në fakt, kryekomisioneri bëri me dije se raportimet reale kanë ardhur nga 4 mijë e 497 qendra votimi nga 5 mijë e 213 qendra gjithsej për 998 mijë votues lidhur me ata që janë identifikuar elektronikisht (93 për qind).

Shifrat tregojnë se numri i zgjedhësve duhet të jetë shumë më i lartë nga sa është reflektuar gjatë ditës (më shumë se 1 milion).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore