Kosova

Mbyllet pika kufitare në Bërnjak, Sveçla: Një familje nga Gjermania u kthye prapa me forcë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar mbylljen e pikës kufitare në Bërnjak ka theksuar se një familje që po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë ka hasur vështirësi në kalimin përmes pikave të kalimit kufitar me Serbinë për shkak të bllokadave që janë krijuar në shenjë proteste ndaj vendimeve që po marrin institucionet e Kosovës në Veri.

Svelçla përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo familje “është kthyer prapa me forcë”.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”.

Ai tutje ka theksuar se deri në normalizimin e situatës, pika kufitare në Bërnjak do të jetë e mbyllur për qarkullim.

“Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”.

Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht të premten nga një grup i vogël njerëzish, në shenjë proteste ndaj vendimeve që po marrin institucionet e Kosovës në Veri.

Institucionet e Kosovës, kanë bërë thirrje edhe të enjten që këto pikëkalime të shmangen gjatë protestës të cilën e kishin e paralajmëruar të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili kishte bërë të ditur se më 6 shtator, planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt Republikës së Kosovës.

Ndryshe, punonjës të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë kanë protestuar gjatë kësaj jave, disa ditë pas mbylljes nga autoritetet e Kosovës të pesë institucioneve paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në veri të Kosovës, ndërsa më herët, në gusht, u mbyllën edhe degë të postës serbe atje.

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në një përgjigje për shtypin kosovar të mërkurën, ka kërkuar nga serbët që t’i shmangin veprimet që mund të krijojnë tensione në vend.

KFOR-i ka thënë se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme” në vend, duke shtuar se “ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë”.

E përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore