Lajme

Mbyllet nata e dytë gjysmëfinale e “Eurovision Song Contest”: Cilët shkuan në finale?


Pas dy orësh transmetim të drejtpërdrejtë, mbrëmjen e 12 majit, u mbyll nata e dytë gjysmëfinale e “Eurovision Song Contest 2022” në Torino, Itali.

Teksa e gjithë Evropa është në pritje të finales së madhe, lista e shteteve të radhës, të cilët u kualifikuan janë: Belgjika, Republika Çeke, Azerbajxhani, Polonia, Finlanda, Estonia, Australia, Suedia, Rumania dhe Serbia.

Me emrat që ju shtuan finalistëve nga nata e parë, lista e plotë që shkon zyrtarisht në finale, vijon si më poshtë:

Italia, Franca, Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia, Holanda, Belgjika, Çekia, Azerbajxhani, Polonia, Finlanda, Estonia, Australia, Suedia, Rumania, Serbia, Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Momentet “pikante” të mbrëmjes 

Achille Lauro, përfaqësues i San Marino-s nuk ia doli të kualifikohet, megjithëse u duartrokit shumë për guximin.

Ai dhuroi një performancë, me në thelb një dialog dashurie mes një striptisteje dhe një kauboji. I veshur me një “jumpsuit” transparent, kapele dhe çizme kauboji, artisti habiti audiencën teksa hipi mbi një dem të kuq mekanik.

Më parë, Achille Lauro, duke përsëritur një gjest të parë tashmë në Sanremo, iu afrua kitaristit të tij, Boss Doms, dhe e puthi.

TURIN ITALY MAY 12 Achille Lauro and Boss Domsperform on stage during the second semifinal of the 66th Eurovision Song...

Ndër momentet më të diskutuara të mbrëmjes ishin edhe hapja dhe mbyllja e spektaklit.

Alessandro Cattelan e nisi gjysmëfinalen me një kërcim të fuqishëm, duke marrë shumë ovacione.

Kurse mbyllja e gjysmëfinales u bë me një performancë të fuqishme nga Mika dhe Laura Pausini (dy muskutjerët e tjerë), të cilët ishin mikpritës prej natës së parë të festivalit evropian.

Dueti i tyre ishte i fuqishëm dhe i dedikohej paqes, me zgjedhjen e dy këngëve: “Fragile” nga Sting dhe “People Have the Power” nga Patti Smith.

Këto pak minuta u renditën si më të veçantat e mbrëmjes, për energjinë artistike dhe shumë emocion që përcolli dyshja e njohur.

Mbrëmja finale e “Eurovison Song Contest 2022”, do të mbahet më 14 maj në Torino me përzgjedhjen e shtetit fitues për këtë edicion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore