Aplikacione

Mbyllet kanali i “YouTuber-it më racist në Britani”


Platforma YouTube ka mbyllur një kanal të përdorur nga një ekstremist, i quajtur “Youtuber-i më racist i Britanisë”, për shkeljen e politikave të gjuhës së urrejtjes.

37-vjeçari James Owens ka përdorur kode dhe eufemizma për të anashkaluar monitorimin e automatizuar në platformë dhe për të transmetuar sulme ndaj hebrenjve dhe njerëzve me ngjyrë.

Kështu, platforma ka njoftuar se e ka mbyllur kanalin e përdorur nga ekstremisti, i cili vepronte me emrin e koduar “Ayatollah”.

Sipas njoftimit, “Ayatollah” ka shkelur politikat e gjuhës së urrejtjes.

“Pas shqyrtimit, e mbyllëm shpejt kanalin për shkelje të përsëritura të politikës sonë të gjuhës së urrejtjes, e cila ndalon rreptësisht përmbajtjen që promovon dhunë ose urrejtje kundër individëve ose grupeve bazuar në atribute të caktuara”, thuhen në njoftim.

“Ne e zbatojmë këtë politikë me rigorozitet dhe hoqëm mbi 95 mijë video për shkelje të politikës sonë të gjuhës së urrejtjes në tre muajt e parë të vitit 2022”, ka treguar një zëdhënës i YouTube-it.

Përdorimi i eufemizmave dhe fjalëve të koduara mund të ndihmojë që përmbajtja ekstreme të shmangë moderimin në platforma të tilla si YouTube, në një teknikë të përdorur gjerësisht nga e djathta ekstreme në SHBA.

Kanali në fjalë, i hapur në dhjetor 2019, kishte fituar më shumë se 400 mijë shikime përpara se të mbyllej.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore