Përballje

Mbretërit, superkampion të Spanjës


Real Madrid ka arritur fitoren në finalen e Superkupës së Spanjës përballë Athletic Bilbao.

Në Riyadh të Arabisë Saudite, dy skuadrat që fituan përballë Barcelonës dhe Atletico Madrid-it në gjysmëfinale, zbritën në fushë në kërkim të trofeut.

Ndeshja nisi shumë mirë për madrilenët, dhe përfundoi ashtu.

Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti e dominoi gjithë takimin dhe arriti që me nga një gol në secilën pjesë të sigurojë trofeun e parë të vitit.

Pas shumë tentativave në pjesën e parë, ishte Luka Modric ai që do gjente rrugën e rrjetës.

Pas një pasimi të brazilianit Rodrygo, Modric me një goditje shumë të bukur shënoi për 0-1.

Në pjesën e dytë, do të ishte një penallti ajo që do t’i jepte madrilenëve epërsinë e dyfishtë.

I saktë nga pika e bardhë u tregua i përhershmi Karim Benzema, që shënoi golin e 24-të sezonal në të gjitha garat.

Në fund, pak para se të mbyllej koha e rregulltë, penallti kishte edhe në favor të baskëve dhe Real Madrid mbeti me dhjetë futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Eder Militao-s.

Mirëpo, penalltinë e priti Thibaut Courtois duke ia mohuar çdo shpresë Bilbao-s.

Real Madrid ngrit në qiell trofeun e parë të vitit, duke i lënë të gjithë me shumë shpresa për pjesën e mbetur të sezonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore