Pajisje

Mbretëria e Bashkuar do të heqë dorë nga rrjetet 2G dhe 3G


Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se deri në vitin 2033 do të heqë dorë nga shërbimet celulare 2G dhe 3G.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se për këtë hap është rënë dakord me operatorët e rrjetit celular Vodafone, EE, Virgin Media, O2 dhe Three.

Pronari i EE-së në muajin korrik ka zbuluar planet për të hequr 3G-në deri në vitin 2023 dhe 2G-në më vonë gjatë dekadës.

Madje, edhe shumë kompani të tjera kanë nisur tanimë të heqin dorë nga teknologjia që mbështet shërbimet.

Nadine Dorries, sekretare e kulturës, ka treguar se masa do të ndihmonte Mbretërinë e Bashkuar të bënte një tranzicion më të butë drejt rrjeteve më të shpejta.

“Tanimë, teknologjia 5G po revolucionarizon jetën dhe bizneset e njerëzve, duke i lidhur njerëzit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar me të dhëna më të shpejta celulare dhe duke i bërë bizneset më produktive”, ka thënë ajo.

Gjithashtu qeveria ka premtuar edhe një nxitje financimi për të ndihmuar në mbrojtje të së ardhmes së rrjeteve celulare të vendit, duke i dhënë fund mbështetjes së tepërt nga një numër i vogël furnizuesish.

Por edhe duke e bërë më të lehtë për prodhuesit e pajisjeve të reja hyrjen në treg.

“Po japim edhe 50 milionë paund të tjerë për ta vendosur Mbretërinë e Bashkuar në ballë të lidhjes celulare dhe për t’u siguruar që rrjetet tona të telekomunikacionit janë të sigurta, tani dhe në të ardhmen”, ka shtuar Dorries.

‘Dimensioni i mbrojtjes së konsumatorit’

Themeluesi i grupit kërkimor, Matthew Howett, i ka thënë “BBC”-së se ndryshimi ndoshta do të vijë më shpejt se afati i vendosur i qeverisë.

Heqja dorë nga dy rrjetet pritet të prekë të gjitha llojet e pajisjeve të vjetra, të tilla si telefonat inteligjentë 3G.

Sipas tij, pritet të jetë thelbësore edhe që qeveria të veprojë në emër të konsumatorëve që mund të jenë të ngadaltë në përshtatje.

“Ka një dimension të rëndësishëm të mbrojtjes së konsumatorit në gjithë këtë”, ka sqaruar ai.

“Sigurisht që do të keni disa njerëz që ende mund të mbështeten në një celular të aktivizuar me 2G/3G për të kryer telefonata në raste urgjente, por edhe për shkak se pajisje të tilla janë jashtë rrjetit 2G”, ka vijuar Howett.

Për të, “përfshirja e këtyre palëve të interesuara do të jetë vendimtare për të shmangur përçarjen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore