Lajme

Mbretëresha Elizabeth i del në krah Ukrainës – mesazhi “i koduar” në buqetën me lule


Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth, gjithashtu i ka dalë në krah Ukrainës.

Duke respektuar “heshtjen” e Pallatit Mbretëror, ajo kishte zgjedhur një mënyrë mjaft origjinale – një buqetë me lule blu dhe të verdha – ngjyra e flamurit ukrainas – në një pritje në Kështjellën Windsor.

Në takimin që 95-vjeçarja pati me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, të hënën e 7 marsit, në sfond binte në sy buqeta dyngjyrëshe.

Gjithashtu ajo mbante veshur një fustan me motive blu dhe dukej si një mesazh mbështetjeje për Ukrainën.

Këto detaje nuk ndodhin kurrë rastësisht në Pallatin Mbretëror dhe duket se buqeta e luleve është një mesazh i qartë për pozicionin e familjes mbretërore britanike dhe sovranit në veçanti.

Mbretëresha Elizabetha, e cila sapo është shëruar nga COVID-19, u shfaq në formën më të mirë se kurrë.Trudeau u shpreh entuziast pas pritjes së Elizabethës, me të cilën, shpjegoi ai, “zhvilluam një bisedë shumë të dobishme mbi ngjarjet globale. Pata mundësinë të flisja për situatën me të cilën po përballemi dhe u përpoqa të mësoja diçka nga përvoja e saj e gjatë”.

Disa herë gjatë viteve ai është munduar ta tërheqë Mbretëreshën në arenën politike, si Brexit apo pavarësia skoceze: por ajo është përpjekur të qëndrojë larg marrëveshjeve politike.

Në fakt, pozicionimi i familjes mbretërore gjithmonë ka qenë neutral.

Përveçse tani, përballë luftës në Ukrainë.

Aq sa edhe Elisabetha bëri një “dhurim bujar” për popullsinë e prekur nga lufta.

Por nuk është vetëm Mbretëresha: nga Charles dhe Camilla, tek William dhe Kate, e gjithë monarkia ka thyer neutralitetin, duke dalë haptazi kundër agresionit rus.

Princi i Uellsit dhe gruaja e tij vizituan Katedralen Katolike të Londrës, ndërsa Dukat e Kembrixhit shprehën solidaritetin e tyre në rrjetet sociale.

Flamuri ukrainas

“Shpëtoji ukrainasit!”, Lavdi Ukrainës! thirri Charles, teksa përshëndeti besimtarët e mbledhur në kishë javën e kaluar.

Gjithashtu, ai mbajti në duar pankartat e vizatuar nga fëmijët, që shkruanin “Stop Putin!”.

Në fund të meshës, Charles deklaroi se “unë dhe gruaja ime u prekëm thellësisht nga ajo që dëgjuam dhe mbi të gjitha nga guximi dhe bujaria e jashtëzakonshme e komunitetit ukrainas për t’u përballur me një sulmi kaq të tmerrshëm”.

Nga ana tjetër, William dhe Kate në kanalet e tyre sociale, shkruan se “Sot ne jemi së bashku me presidentin dhe të gjithë popullin ukrainas, që ata luftojnë me guxim për të ardhmen”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes “Twitter”, i falënderoi Princin William dhe Kate Middleton për mbështetjen e tyre në këtë “kohë vendimtare” të pushtimit rus.

Me sa duket, Mbretëresha Elizabeth dhe trashëgimtarët e saj kanë zgjedhur njerëzimin kundër barbarizmit.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore