Kosova

Mbingarkohet Klinika e Pediatrisë – mbi 21 mijë vizita ambulantore


Klinika e Pediatrisë.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka thënë se njëra nga klinikat më të ngarkuar me pacientë mbetet klinika e Pediatrisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar për media nga ShSKUK-ja.

“Klinika e Pediatrisë, e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mbetet njëra nga klinikat me të ngarkuar me pacientë”.

“Sipas raportit vjetor të punës së Klinikës së Pediatrisë për vitin 2023, gjatë një viti, në këtë klinikë kanë qenë të shtrirë 7 mijë e 141 fëmijë për trajtim mjekësor në reparte të ndryshme të kësaj klinike, me gjithsej 51 mijë e 470 ditë shërimi”, thuhet nga ShSKUK-ja.

Sipas të njëjtit raport deri tani ka pasur gjithsej 21 mijë e 256 vizita ambulantore.

Edhe në muajin gusht të 2023-ës, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), kishte bërë të ditur se Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është mbingarkuar për shkak të vizitave emergjente që ka pasur në gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

“19 mijë e 364 vizita emergjente pediatrike ka pasur për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, në kuadër të Klinikës së Pediatrisë, duke e bërë njërën nga klinikat më të ngarkuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.

Nga ky shërbim ishte thënë se 3 mijë fëmijë janë spitalizuar.

Edhe në gusht të 2021, Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ishte mbingarkuar me fëmijë që po kërkojnë trajtim spitalor pothuajse në periudhë të ngjashme kohore si tani.

Nga ShSKUK-ja në 2021, ishte thënë se vetëm gjatë muajit korrik të 2021, në klinikën e Pediatrisë janë trajtuar mbi tre mijë raste.

Ndryshe, në të njëjtën periudhë kohore QKUK-ja ishte mbingarkuar nga pacientët me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore