Lajme

Mbikëqyrësi francez i privatësisë gjobit Microsoft-in për cookie-t


Në Francë, mbikëqyrësi CNIL i privatësisë ka vendosur një gjobë prej 60 milionë eurosh kundër gjigantit amerikan të teknologjisë Microsoft.

Referuar mbikëqyrësit, kompania u sanksionua pasi nuk kishte vendosur një mekanizëm për t’i lejuar njerëzit të refuzojnë cookie-t aq lehtë sa pranoheshin.

CNIL ka bërë me dije se motori Bing i kërkimit i Microsoft-it nuk ka një sistem që lejon përdoruesit të refuzojnë cookie-t po aq thjesht sa i pranojnë ato.

Pas hetimeve të tij rezultoi se “kur përdoruesit vizituan këtë faqe, cookie-t u depozituan në terminalin e tyre pa pëlqimin e tyre, teksa këto cookie përdoreshin, ndër të tjera, për qëllime reklamimi”.

Po ashtu është vënë re se |nuk kishte asnjë buton që lejonte refuzimin e depozitimit të cookie-ve aq lehtë sa pranimi i tij”.

Sipas CNIL, gjoba është pjesërisht e justifikuar për shkak të fitimeve që kompania ka korrur nga fitimet e reklamave të gjeneruara në mënyrë indirekte nga të dhënat e mbledhura nëpërmjet cookie-ve.

Sakaq, kompanisë i është dhënë tre muaj kohë për të korrigjuar çështjen.

Microsoft-i, nga ana tjetër, ka deklaruar se kishte “prezantuar ndryshime kyçe në praktikat e cookie-ve edhe para fillimit të këtij hetimi”.

“Vazhdojmë të shqetësohemi për pozicionin e CNIL për mashtrimin e reklamave… pozicioni i mbikëqyrësit francez do të dëmtojë individët dhe bizneset franceze”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore