Mbi 700 vetura me targa ilegale në Veri konvertohen në targa RKS për shtatë ditë

SHFLETO

Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
07.11.2023 14:35
Loading Icons...

Që nga 1 nëntori, 733 vetura me targa ilegale në Veri të Kosovës janë konvertuar në RKS.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë në Veri të Mitrovicës, Veton Elshani.

“Deri tani janë rreth 733 vetura që janë konvertuar në RKS. Të martën deri në orën 12:00 janë konvertuar 88 vetura, ndërsa në ora 16:00 e marrim një shifër tjetër të targave që janë konvertuar”, ka thënë Elshani për AP.

Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë ka njoftuar se të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjet.

Marrëveshja e Brukselit për lirinë e lëvizjes e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 dhe ajo parashihte që në Kosovë të përdoren vetëm targat me shenjat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, neutrale ndaj statusit).

Në marrëveshje thuhej se “si masë e përkohshme autoritetet e në Kosovë do të zgjasin vlefshmërinë e targave KS për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh”.

Kosova dhe Serbia, në vitin 2016 sërish janë marrë vesh për vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që do të thotë se “afati i përdorimit” të tyre ka skaduar në vitin 2021.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 ka anuluar Udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshohen më nga shtatori i vitit 2021.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, ashtu sikurse edhe për dokumentet personale, ka shkaktuar revoltën e serbëve në Veri të Kosovës, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit të vitit 2022.