Shqipëria

Mbi 400 nxënës janë transferuar në arsimin profesional, thotë Manastirliu


“Vetëm në dy muajt e fundit, ne kemi arritur që të transferojmë në arsimin profesional mbi 400 nxënës”.

Kështu ka bërë me dije ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu – në kuadër të fushatës “Zgjidh Zanatin” – ku ka zhvilluar një takim në mjediset e reja të shkollës “28 Nëntori” në Burrel.

Qëllimi ishte promovimi i arsimin profesional, si një mundësi e shkëlqyer për një punë të sigurt dhe të mirëpaguar.

Manastirliu theksoi ndryshimet dinamike në tregun e punës sot dhe nevojën për profesionistë dhe zanatçinj.

“Tregu i punës sot po ndryshon shumë. Kërkohet shumë profesionisti, kërkohet zanatçiu në një ekonomi, e cila është dinamike dhe që ndryshon shpejt. Për arsyet e zhvillimeve të kohës kërkohet që të rinjtë të dalin shpejt në tregun e punës për të mundësuar pikërisht zhvillimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Shqipëria në vitin që lamë pas ka pritur mbi 10 milionë turistë dhe dhe se ky është një sinjal për të ofruar shërbime cilësore, në hoteleri turizëm.

“Kemi nevojë që të kemi jo vetëm profesionistë të zotë, por të kemi edhe profesionistë të shumtë në numër”, ka vijuar ajo.

Pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me strukturat e Arsimit Profesional, për të mundësuar transferimin pa burokraci të nxënësve që kanë prirje drejt zanateve, nga vitet e para të gjimnazit, drejt shkollave profesionale, janë mbi 400 nxënës që kanë bërë këtë zgjidhje gjatë dy muajve të fushatës “Zgjidh Zanatin”.

“Në dy muaj e fundit të vitit ne realizuam një tjetër bashkërendim me mësuesit, me drejtuesit e shkollës, me drejtoritë arsimore, me shkollat dhe drejtuesit e arsimit profesional për të transferuar drejt arsimit profesional nxënësit e viteve të para gjimnazit që kanë një prirje drejt arsimit profesional dhe nuk kanë arritje të mëdha në arsimin e përgjithshëm, duke mundësuar gjithashtu që dhe ata që kanë talente të shkojnë drejt arsimit profesional ndërkohë që kanë filluar gjimnazin. Vetëm në dy muajt e fundit, ne kemi arritur që të transferojmë në arsimin profesional mbi 400 nxënës”, ka shtuar ministrja.

Fushata “Zgjidh Zanatin”, e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka mundësuar që të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e arsimit profesional.

Transferimi nga gjimnazi në arsimin profesional u ka ofruar nxënësve që kanë prirje dhe talente të veçanta, të ndjekin një rrugë më të përshtatshme për zhvillimin e tyre profesional dhe personal, në përgjigje të nevojave të tregut të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore