Shqipëria

Mbi 3 mijë testime, vetëm 3 raste me Covid në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë humbje jete nga coronavirus-i dhe kanë rezultuar pozitivë tre qytetarë në Shqipëri.

Ndërkaq Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se Tirana nuk ka pasur asnjë rast të ri me Covid-19.

Në tërësi në Shqipëri, janë 127 raste aktive nga të dhënat e Ministrisë.

Shtatë pacientё janё duke marrё aktualisht trajtim spitalor dhe tre tё tjerё ndodhen nё terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë shëruar tetë qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129 mijë e 903 që nga fillimi i epidemisë.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, kanë humbur jetën 2 mijë e 454 qytetarë. Janë kryer 771 mijë e 586 testime totale dhe 3 mijë e 27 testime ditore.

Masat e reja lehtësuese

Nga 1 qershori kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër Covid-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 22:00-06:00, ajo do të shtyhet në 23:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës dhe diskot. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Fushata e vaksinimit

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 842 mijë shqiptarë.

Mbi 250 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 900 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore