Kosova

Mbi 3 mijë profesionistë shëndetësorë u larguan nga Kosova për tri vjet, Haxhiu: Sistemi shëndetësor do të kolapsojë


Foto: Albanian Post

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se largimi i stafit shëndetësore nga Kosova dhe punësimi i madh i tyre në sektorin privat shumë shpejtë do ta dërgojë sistemin shëndetësor në kolaps.

Haxhiu, në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten ka thënë se në gjashtë mujorin e parë janë larguar mbi 3 mijë mjekë të sektorëve të ndryshme.

“Deri më 1 qershor 2024, për tri vjet e gjysmë mbi 3 mijë e 860 profesionistë shëndetësorë kanë ikur nga Kosova dhe shumë të tjera nga sektori publik në atë privat”.

“Kjo është shumë alarmante. Ikja e profesionistëve shëndetësore nga Kosova, është shndërruar në dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësorë sepse ne nuk mund të prodhojmë profesionistë shëndetësor, aq sa po na ikin nga Kosova”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu

Ai ka thënë se me situatën aktuale parashihet edhe mbyllja e disa shërbimeve në spitalet e komunave.

“Kjo shumë shpejt do ta dërgojë në kolaps sistemin tonë shëndetësor. Kjo është pasojë e keqqeverisjes ku edhe me statutin e ShSKUK-së, parashihet mbyllja e disa shërbimeve në spitalet regjionale”.

Në vitin 2022, ministria e Shëndetësisë, kishte provuar një formë politike që t’i mbajë mjekët në Kosovë.

Kërkesa e tyre kishte qenë që mjekët e diasporës të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë për përmirësimin e këtij sektori.

“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte thirrja e kryeministrin Albin Kurti në kohën kur Latifi ishte ende ministër.

Ai u largua, e të tjerët as që erdhën, kurse kërkesës së Qeverisë i ishin përgjigjur pozitivisht vetëm dy mjekë të diasporës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore