Shqipëria

Mbi 21 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, rritje krahasuar me vitin 2022


Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në fund të vitit 2023, rezultoi 21 mijë e 460 banorë, duke pësuar rritje me 18,2 për qind, krahasuar me vitin 2022.

Referuar raportit të publikuar nga INSTAT, numri i të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt me 63.8 për qind, kundrejt femrave me 36.2 për qind.

Në vitin 2023, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri ishte 12 mijë e 430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22.7 për qind, krahasuar me vitin 2022.

Të ardhurit me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023.

Respektivisht me 3 mijë e 712, 3 mijë e 375 dhe 1 mijë e 693 banorë.

Të huajt me origjinë nga Evropa rezultojnë 15 mijë e 223 banorë në vitin 2023 dhe përbëjnë 70.9 për qind të të huajve gjithsej, kundrejt 73.3 për qind që përbënin në vitin 2022.

Sakaq, punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në vitin 2023 me 48.3 për qind.

Në vitin 2023 janë evidentuar 6 mijë e 630 të huaj të parregullt në territorin e vendit, ku pjesën më të madhe të tyre, rreth 44 për qind, e zënë të huajt me origjinë nga Afganistani dhe Siria.

Gjatë vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi përbëhet nga 13 mijë e 691 meshkuj dhe 7 mijë e 769 femra.

Ndërkohë grupmosha dominante e të huajve me leje qëndrimi është 30-39 vjeç, e cila përbën 22.5 për qind të të huajve gjithsej me leje qëndrimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore