Lajme

Mbi 16 mijë familje aplikojnë për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbi 16 mijë familje kanë aplikuar për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Lajmin e ka bërë të ditur Murati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Mbi 16 mijë familje kanë aplikuar deri më tani për subvencionim të faturave të energjisë elektrike. Aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, dhe mund të bëhet online në formularin: https://see.rks-gov.net”, ka shkruar ai.

Teksa u ka bërë thirrje familjeve që kanë të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro që të aplikojnë.

“Në veçanti, inkurajohen që të aplikojnë familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, që janë prindër vetushqyes, apo që janë pensionistë që jetojnë vetëm e pa përkujdesje”.

Më 8 shtator, Murati, kishte bërë të ditur formën se si do të aplikohet për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, kishte kërkuar që të dhënat në aplikim të jenë të sakta.

“Sigurohuni që të dhënat janë të sakta, e sidomos shifra e konsumatorit (njehsorit të energjisë elektrike) sepse subvencioni do të bëhet direkt në faturë”.

Teksa, ka treguar edhe familjet të cilat mund të kualifikohen për të përfituar nga ky subvencionim.

“Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim”.

“Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”.

Ndërsa, në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

Edhe Bashkimi Evropian (BE), kishte mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që konsiderohen të cenueshëm siç janë personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore