Lajme

Mbi 1 mijë të vdekur nga përmbytjet në Pakistan


Përmbytjet, të shkaktuara nga shirat shkatërrues të musonit në pjesën më të madhe të Pakistanit, kanë vrarë më shumë se 1 mijë njerëz dhe kanë plagosur e zhvendosur mijëra të tjerë që nga qershori, thanë zyrtarët.

Numri i ri i të vdekurve erdhi një ditë pasi kryeministri, Shehbaz Sharif, kërkoi ndihmë ndërkombëtare në luftimin e dëmeve vdekjeprurëse nga përmbytjet. Më shumë se 33 milionë njerëz janë zhvendosur.

Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të musoneve, të cilat filluan në qershor dhe vazhdojnë të bëjnë kërdi në Pakistan.

Shumë pjesë të Pakistanit janë bërë të paarritshme dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të evakuojnë mijëra njerëz të izoluar nga zonat e prekura nga përmbytjet. Provincat Balochistan dhe Sindh janë zonat më të prekura.

Pakistani në emergjencë nga përmbytjet

Mediat lokale raportuan të shtunën vonë se diga Kach pranë qytetit Ziarat, pranë qytetit të Quetta-s, kryeqyteti i Balochistanit, ishte thyer për shkak të përmbytjeve të mëdha, duke vënë në rrezik jetën e banorëve lokalë. Raportohet se janë dëmtuar edhe diga të tjera në zonë.

Kishte gjithashtu raporte se protestuesit kishin bllokuar autostradën Indus, i vetmi kalim i sigurt midis Hyderabad, Karaçit dhe Sindh-it verior dhe pjesës tjetër të Pakistanit në Naseerabad. Protestuesit pretendojnë se ligjvënësit vendas kanë rrezikuar popullsinë duke devijuar ujërat e përmbytjeve.

Videot e shpërndara në mediat sociale treguan ura, rrugë dhe hotele që zhyten në ujë dhe njerëz që vraponin për të evakuuar shtëpitë e tyre. Ushtria është thirrur për ndihmë shpëtimi në provincë.

Ish-kryeministri Imran Khan ka qenë nën kritika të ashpra për një tubim të planifikuar të shtunën në Jhelum, në veri të provincës Punjab. Khan u kritikua gjithashtu për refuzimin e mbledhjes së fondeve për lehtësimin e përmbytjeve gjatë vizitës së tij në zonat e prekura nga përmbytjet. Khan kishte thënë se mund të apelonte për fonde vetëm pas një vlerësimi të humbjeve.

Ai ka mbajtur mitingje në të gjithë vendin që nga prilli, koha kur u rrëzua nga pushteti.

Rrëzohet nga pushteti kryeministri pakistanez Imran Khan

Ministrja e informacionit e Pakistanit, Mariyam Aurangzaib, tha se kryeministri Sharif ishte me viktimat e përmbytjeve, duke përfshirë përfaqësuesit e qeverisë së koalicionit.

Ajo tha: “Imran Khan refuzoi të mblidhte fonde për përmbytjen dhe ka bërë thirrje për tubime politike. Asnjë politikan askund në botë nuk ka vepruar kështu në mes të një emergjence kombëtare në atë mënyrë si po vepron Imran Khan. Kjo është e trishtë.”

Pas kritikave, udhëheqësi i PTI-së, Asad Umar, një ndihmës i afërt i Khan, shkroi në Tëitter: “Nesër Imran Khan do të mbajë një teleton për të mbledhur fonde për përpjekjet për lehtësimin e përmbytjeve. Detajet do të njoftohen gjatë ditës së sotme.”

Në përgjigje të thirrjes së Sharifit për ndihmë ndërkombëtare, OKB-ja planifikoi një apel 160 milionë dollarë për donacione, sipas zëdhënësit të ministrisë së jashtme Asim Iftikhar. Ai tha në konferencën e tij javore të premten se apeli do të nisë më 30 gusht.

 

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore