Kosova

Mbeti Gjilani “veç me 700 mijë euro”, apo jo?


Komuna e Gjilanit.

Të premten e 17 dhjetorit Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2022 me shumën prej dy miliardë e 748 milionë euro.

Nga ky buxhet për komunën e Gjilanit në investime u ndan vetëm 700 mijë euro.

Jo të mjaftueshëm, ndarjen e buxhetit për këtë komunë po e konsideron deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi. Ajo në një prononcim për Albanian Post shprehet se kjo është një shkelje e rëndë.

“Ndarja buxhetore nga Qeveria Kurti 2 për vitin 2022 dhe për Gjilanin, në projekte në vlerë minimale, është qesharake dhe injoruese. Duke e ditur kontributin e madh të taksapaguesve gjilanas në buxhetin e vendit dhe duke e vështruar këtë buxhet, krijohet përshtypja se ne nuk qenkemi fare në agjendën e kësaj Qeverie”, shprehet ajo për AP.

Kuvendi i Kosovës.

Edhe pse, kjo komunë po udhëhiqet nga qeveria e cila është në pushtet, ajo konsideron se kjo nuk luajti ndonjë rol tek ekzekutivi.

“Gjilani tani qeveriset nga një kryetar që vjen nga Qeveria në pushtet, por si duket as ai e as deputetët nga Anamorava nuk kanë guximin ta kërkojnë së paku hisen që na takon, se lëre më diçka më shumë”.

Sipas saj, “arroganca e numrave, po e bën të veten dhe kjo po i kushton më së shumti Gjilanit”.

“Bukën e shtëpisë si duket Qeveria e paska ndarë dikah tjetër, por për Gjilanin e Anamoravën i paskan ndarë vetëm disa troha të saj. Ma mirë pak se hiç!”.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi Murtezi, sqaroi për Albanian Post se kjo nuk do të jetë shuma e vetme e ndarë për investime në komunën e Gjilanit.

Por, që të cilat duhet të kenë një plan paraprak.

“Ka edhe projekte të tjera por të cilat nuk kanë pasur plan paraprak dhe pa e pasur planin paraprak nuk munden me u buxhetu saktësisht se sa kushtojnë ne kemi ndarë vetëm një shumë të vogël për fillim deri në rishikimin e ardhshëm të buxhetit kryetari i komunës e bën projektin konkret për projektet e ardhshme me vazhdu buxhetimin me para shtesë dhe me fillu projekte të reja në komunën e Gjilanit”, thotë Demi Murtezi.

Komuna e Gjilanit.

Ajo shprehet se këto projekte kanë qenë më emergjente, prandaj edhe është bërë ndarja e një buxheti të ulët.

“Këto janë projekte që ne i kemi kërku në fillim prej asaj që është pa në fushatë, në terren këto kanë qenë emergjente”.

Ndërkaq, konsideron se nuk ka pasur mundësi për ndarje të mjeteve më shumë.

“Ne e kemi fillu si linja buxhetore, madje në ndërkohë kryetari i komunës e vlerëson sa marrin sa e kanë koston përfundimtare këto projekte edhe në rishikim të buxhetit edhe në buxhetin e ardhshëm shtohen mjete të tjera shtesë, ndërkaq kryetari punon edhe projekte të tjera edhe projektetet e tjera vazhdojnë me u mbështet”.

Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i pyetur nga Albanian Post për ndarje të një shumë të tillë për komunën të cilën ai udhëheq thotë se ka projekte të cilat do të implementohen.

Ai sqaron se një ndarje e tillë është bërë për shkak se tek Qeveria janë paraqitur vetëm një pjesë e projekteve.

“Ka projekte të tjera të cilat do të implementohen e nuk janë pjesë e buxhetit tash, janë projekte të veçuara, të cilat do të implementohen për vitin 2022”, thotë Hyseni për AP.

Kanë qenë 65 deputetë që kanë votuar për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Një deputet ka abstenuar, kurse asnjë nuk ka qenë kundër.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti lidhur me rëndësinë e Ligjit për Buxhet për vitin 2022, ka thënë se s’ka asnjë qëllim tjetër, përveç atij që të “lexohet” në leximin e dytë.

“Meqenëse të gjitha procedurat kanë përfunduar meqenëse është e mundshme me 17 pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që të mos zgjatemi edhe pesë ditë të tjera kur mund të mos zgjatemi”.

“Kjo mund të ishte e papërshtatshme nëse do të mungonit, por pasi të gjithë jeni këtu unë ju ftoj ta mbështesni këtë afrim të datës për Projektligjin për Buxhetin 2022”, ka thënë ai.

Votimin e ka kundërshtuar në fillim Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lista Serbe ka votuar pro propozimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore